Komuna e Gjilanit, e drejtuar nga Alban Hyseni i Lëvizjes Vetëvendosje, ka hapur sot një tender për “Ndërtimin e projektit të integruar të Bulevardit të Qytetit të Gjilanit” me vlerë prej 18 milionë eurosh. Demokracia.com ka vërejtur se Komuna ka shkurtuar kundërligjshëm afatin e garës për operatorët ekonomikë, duke ngritur dyshime se kompani të caktuara mund të jenë njoftuar paraprakisht.
Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ka nënshkruar vitin e kaluar një memorandum me Komunën e Gjilanit për financimin e projektit integrues që përmban sheshin, parkingun nëntokësor dhe objektin e administratës. Vlera totale e kontratës është 18 milionë euro.
Sipas hulumtimit të Demokracia.com, Zyra e Prokurimit Komunal ka shkurtuar afatin për pjesëmarrjen e kompanive të interesuara, duke e kufizuar atë në vetëm 20 ditë, ndërsa ligji për Prokurimin Publik përcakton se afati minimal për kontrata të mëdha duhet të jetë jo më pak se 40 ditë.
Tenderi është hapur më 18 mars, ndërsa afati i fundit për dorëzimin e ofertave është 7 prill, pra vetëm 20 ditë garë. Kjo përben një shkelje të nenit 44 të Ligjit për Prokurimin Publik, i cili qartazi përcakton se kontratat e mëdha duhet të kenë afat minimal 40-ditor për pranimin e ofertave.
Komuna e Gjilanit e ka arsyetuar shkurtimin e afatit duke thënë se nuk dëshiron që punimet të vonohen nga kushtet klimatike të dimrit.
“Pagesat lidhur me këtë aktivitet të prokurimit bazohen në Marrëveshjen për bashkëpunim të lidhur mes Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësior dhe Infrastrukturës dhe Komunës së Gjilanit. Meqënëse ky projekt është një nga projektet më të mëdha për regjenerimin urban të qendrës së qytetit dhe objektin e ri të administratës, kërkojmë që ky aktivitet të publikohet me afat të shkurtër kohor, për të shmangur vonesat për shkak të dimrit”, thuhet në arsyetimin e Komunës.
Por ky argument nuk ka mbështetje ligjore, pasi Ligji i Prokurimit Publik dhe aktet sekondare nuk e parashohin motin si arsye për shkurtimin e afatit të garës. Prandaj, një kompani që do të ankimohej në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) për shkurtimin e afatit të ofertimit, ka shumë gjasa që ta fitojë rastin.
Sipas dokumentacionit të tenderit, afati për fillimin e punimeve është 5 ditë pas nënshkrimit të kontratës, ndërsa afati i përfundimit të projektit është 730 ditë nga lëshimi i fletë-porosisë nga Menaxheri i Kontratës.
Ndër kriteret e vlerësimit të ofertave, Komuna ka vendosur që fitues do të jetë kompania me ofertën më të ulët financiare. /Demokracia.com/