Komuna e Gjakovës gjobitet me 10 mijë euro, kërkohet revokimi i certifikatës për shefin e prokurimit

Zyra e Prokurimit të Komunës së Gjakovës nuk po i respekton rekomandimet e Panelit Shqyrtues të Organit të Prokurimit (OSHP). Mosrespektimi i këtyre vendimeve është një shkelje e rëndë ligjore, shkruan Demokracia.com.

Tenderi për ‘Ndërtimin e Rrugës X’ u hap nga Komuna e Gjakovës më 17 prill 2023, pra para dy vitesh dhe nuk është realizuar asnjëherë, për shkak të dyshimeve se prokurimi komunal po bën shkelje ligjore, që po dërgohen në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP). Pas kësaj, procesi po shtyhet gjatë, pasi është e njohur që ky organ merr vendime shumë të vonuara.

Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) përmes një vendimi ka gjobitur Komunën e Gjakovës me 10 mijë euro, si dhe është kërkuar revokim i licencës për shefin e prokurimit në këtë komunë për shkelje të Ligjit të Prokurimit Publik në lidhje me tenderin 4.3 milionësh për ndërtimin e rrugës X në këtë qytet.

Pas hapjes së ofertave përmes një vendimi, Komuna e Gjakovës ka anuluar këtë proces të prokurimit, pasi që kompania që tashmë është ankuar në Organin Prokurues të Prokurimit N.SH.T. VIKTORY COM kishte pasur çmimin më të lirë se të gjitha kompanitë e tjera që kanë qenë në garë për këtë tender.

 

Në pikën 1 të vendimit të OSHP-së thuhet se aprovohet si e bazuar ankesa e parashtruar nga Operatori Ekonomik N.SH.T. VIKTORY COM e parashtruar në Organin Shqyrtues të Prokurimit lidhur me aktivitetin e prokurimit Ndërtimi i Rrugës X me numër të prokurimit 632-23-397-5-1-1, i iniciuar nga Autoriteti Kontraktues, Komuna e Gjakovës.

Më tutje në pikën 2 të vendimit kërkohet nga Autoritetit Kontraktues për anulim të aktivitetit të prokurimit lidhur me aktivitetin e prokurimit Ndërtimi i Rrugës X me numër të prokurimit 632- 23-397-5-1-1, iniciuar nga Autoriteti Kontraktues Komuna e Gjakovës, ndërkaq aktiviteti i prokurimit i lartpërmendur kthehet në rivlerësim.

“Shqiptohet gjoba në të holla për Autoritetin Kontraktues në lartësi të shumë 10.000 €, për shkak të mosrespektimit të vendimeve paraprake të OSHP nr. 2023/0572, 2024/0100, 2024/0534, 2024/1022, në pajtim me nenin 131, të Ligjit për Prokurimin Publik në Republikën e Kosovës. Iniciohet procedura për revokimin e certifikatës së prokurimit ndaj zyrtarit përgjegjës të prokurimit të AK (menaxherit të prokurimit), sipas dispozitës së nenit 25, paragrafit 8 të LPP”, thuhet më tutje në pikën tre dhe katër të vendimit të OSHP-së për këtë proces prokurimi.

Lidhur më atë se OSHP mund të shqiptojë gjobë ndaj Komunës së Gjakovës, ka raportuar ditë më parë edhe Demokracia.com.

Komuna e Gjakovës po injoron tre vendime të OSHP-së, ndërsa Paneli ka bazë ligjore për të ndëshkuar shefin e prokurimit

Vlera e parashikuar e këtij projekti është 4,357,000.00 euro.

Tri herë Organi Shqyrtues i Prokurimit e ka gjykuar këtë çështje për shkelje ligjore, duke e urdhëruar që çështjen ta rikthejë për rivlersim. Një herë është konstatuar se është zgjedhur paligjshmërisht një operator, ndërsa në dy rastet e tjera është anuluar procesi pa arsyetim ligjor.

Në vendimin e fundit pritej që Paneli i OSHP-së të marrë vendim për herën e katërt, pasi eksperti i OSHP-së ka konstatuar se vendimet e mëparshme nuk janë respektuar.

“Konstatimi i ekspertit shqyrtues: Pas shqyrtimit të këtij pretendimi dhe analizimit të dokumentacionit të shkruar në platformën e-prokurimi, duke mbështetur ligjin për prokurimin publik (LPP) dhe rregulloret për prokurimin publik (RRPP), eksperti shqyrtues vlerëson se Komuna e Gjakovës nuk ka respektuar vendimet e Panelit Shqyrtues të OSHP-së: 2024/1022, 2024/0534 dhe 2024/0100. Gjithashtu, eksperti shqyrtues konstaton se vendimet e OSHP-së janë përfundimtare dhe detyruese për palët dhe si të tilla i nënshtrohen kontrollit gjyqësor në mënyrë juridike bazuar në nenin 119 të LPP-së. Në këtë kontekst, duke vepruar në përputhje me nenin 16, paragrafi 2 të Rregullores nr. 01/2020 të Organit Shqyrtues të Prokurimit, eksperti shqyrtues njofton Panelin Shqyrtues se palët e përfshira janë të njëjta (AKOE ankues) dhe objekti i këtij pretendimi është njëjtë dhe është shqyrtuar më parë me vendimin nr. 2024/1022. Prandaj, eksperti i propozon Panelit Shqyrtues që kjo çështje të trajtohet si çështje e gjykuar ‘res judicata’, sipas vendimit të tij”.

Mosrespektimi i vendimeve të Panelit, sidomos të tre vendimeve në një aktivitet të prokurimit, është shkelje e rëndë ligjore dhe parasheh tërheqjen e certifikatës profesionale të shefit të prokurimit dhe një gjobë ndaj Autoritetit Kontraktues.

Neni 97 i rregullores, i titulluar “Shkeljet e rënda”, përmban disa pika, ndërsa pika h përcakton se një shkelje e rëndë është “Mosrespektimi i vendimeve të OSHP-së dhe KRPP-së”.

Neni 99 i rregullores trajton “Masat disiplinore për shkeljet e rënda” dhe përcakton sa vijon:

99.1 Për shkelje të rënda të dispozitave të Ligjit të Prokurimit Publik dhe legjislacionit dytësor, duke përfshirë edhe ato të specifikuara në paragrafin 97.1 të kësaj rregulloreje, Bordi i KRPP-së, bazuar në propozimin e komisionit, do të vendosë për anulimin e certifikatës profesionale të prokurimit brenda pesëmbëdhjetë (15) ditëve kalendarike nga data kur komisioni ka dhënë rekomandimin e tij.

99.2 Për shkelje të rënda të dispozitave të Ligjit të Prokurimit Publik dhe legjislacionit dytësor, duke përfshirë edhe ato të specifikuara në paragrafin 97.1 të kësaj rregulloreje, Bordi i KRPP-së do të nxjerrë vendim për anulimin e certifikatës së prokurimit dhe do të kërkojë nga autoriteti kontraktues marrjen e masave disiplinore ndaj personit në fjalë, në përputhje me legjislacionin përkatës në fuqi.

Gjoba tashme është e pa shmangshme, ndërsa mbetet në dorën e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publikë nëse do të revokojë licencën profesionale të shefit të prokurimit. /Demokracia.com/