AFP ka raportuar lidhur me vendimin e qeverisë së Albin Kurtit, i cili ditën e sotme njoftoi se po shtyhet për 12 muaj zbatimi i rregullave të reja për hyrjen e të huajve.
Në raportim theksohet edhe se, Ligji për të Huajt parashikonte që të gjithë shtetasit e huaj që hyjnë në Kosovë për arsye të ndryshme, nga punësimi deri te bashkimi familjar, do të duhet të marrin një leje qëndrimi, dhe se, i njëjti gjithashtu ndalon përdorimin e automjeteve me targa të huaja në rrugët e Kosovës për më shumë se tre muaj.
Më tej, shkruan se ‘‘ky hap rrezikonte të destabilizonte marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë fqinje, të cilat mbeten të brishta që nga lufta e viteve 1990, si dhe në veri të Kosovës, ku shumicën e përbëjnë serbët’’.
Pas një takimi të hershëm me përfaqësuesin e BE-së për negociatat Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, Kurti tha se qeveria e tij do t’u ofrojë punëtorëve dhe studentëve serbë “leje qëndrimi të përkohshme për 12 muaj me mundësi zgjatjeje.”
Duke theksuar se BE-ja “ka pasur diskutime intensive me qeverinë e Kosovës gjatë disa javëve të fundit” për këtë çështje, Sorensen tha se vendimi për shtyrjen e ligjit merret “që të mos pengohen ofrimi i shërbimeve shëndetësore dhe arsimore” në pjesët me shumicë serbe.
Përfaqësuesja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, tha në X (Twitter) se ky hap ishte “një përparim i rëndësishëm për të mirën e të gjithë njerëzve në Kosovë”.
Në raportim njoftohet edhe për reagimin e Petar Petkoviç, i cili ka thënë se “zgjidhja do të mundësojë funksionimin e qetë dhe normal të institucioneve shëndetësore dhe arsimore serbe në Kosovë.”
‘‘Serbia financon plotësisht një sistem paralel arsimor dhe shëndetësor, dhe shumë nga punonjësit e saj që posedojnë dokumente identiteti serbe nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Ligji, i cili fillimisht pritej të hynte në fuqi të hënën, do të prekë shtetasit serbë si dhe serbët etnikë në Kosovë që përfitojnë nga këto shërbime. Kurti gjithashtu njoftoi një lehtësim tjetër për serbët etnikë, duke premtuar se procedura për marrjen e kartës së identitetit të Kosovës do të thjeshtohet’’, thuhet në raportim.










