Komplot i dyshuar terrorist në Mbretërinë e Bashkuar, në pranga 8 persona

“Hetimet janë në fazë të hershme dhe po shqyrtojmë disa pista për të përcaktuar motivimin e mundshëm, si dhe për të vlerësuar nëse ekziston ndonjë rrezik i mëtejshëm për publikun”, deklaroi komandanti Dominic Murphy, kreu i Njësisë Kundër Terrorizmit.

Forcat e policisë kundër terrorizmit në Mbretërinë e Bashkuar kanë arrestuar tetë persona pas disa bastisjeve në vende të ndryshme, shtatë prej të cilëve iranianë.

Pesë prej tyre, sipas agjencisë Reuters, u ndaluan të shtunën me dyshimin për përfshirje në veprimtari terroriste, lidhur me një komplot për të sulmuar një objekt të caktuar në Britani.

“Hetimet janë në fazë të hershme dhe po shqyrtojmë disa pista për të përcaktuar motivimin e mundshëm, si dhe për të vlerësuar nëse ekziston ndonjë rrezik i mëtejshëm për publikun”, deklaroi komandanti Dominic Murphy, kreu i Njësisë Kundër Terrorizmit në Met Police.

Në një operacion të ndarë, të shtunën, tre shtetas të tjerë iranianë u arrestuan në Londër si pjesë e një hetimi tjetër kundër terrorizmit, që sipas policisë nuk ka lidhje me arrestimet e mëparshme.

Ata ndodhen në paraburgim, ndërsa hetimet dhe kontrolli i banesave të tyre vijojnë.

Detajet e komplotit të dyshuar nuk janë bërë publike, ndërkohë që arrestimet ndodhin në një kohë kur autoritetet britanike po rrisin vëmendjen ndaj aktiviteteve të mbështetura nga Irani në territorin britanik.