Në Kosovë, kompanitë që përfitojnë miliona nga kontratat publike vazhdojnë të operojnë pa u ndëshkuar, edhe kur pronarët e tyre dënohen për mashtrim, falsifikim apo keqpërdorim të fondeve publike. Ligji për Përgjegjësinë e Personave Juridikë për Vepra Penale, i cili parashikon dënime edhe për vetë kompanitë e përfshira në krime ekonomike, thjesht nuk po zbatohet. Kjo ka krijuar një sistem ku individët marrin dënime minimale, ndërsa kompanitë e tyre vazhdojnë të fitojnë tenderë publikë pa asnjë pasojë. Një rast i tillë është ai i kompanisë NBT-ING SH.P.K, e cila sapo ka fituar një kontratë të re nga Komuna e Prishtinës, ndonëse një nga pronarët e saj është dënuar para pak javëve për korrupsion, shkruan Demokracia.com
Ligji për Përgjegjësinë e Personave Juridik për Vepra Penale nuk po gjen zbatim të duhur në Kosovë, duke krijuar një klimë të favorshme për kompanitë që përfitojnë nga kontratat publike përmes shkeljeve ligjore. Ndaj personave juridikë nuk po shqiptohen sanksione penale, pavarësisht se përfitojnë materialisht nga veprat penale.
Në mungesë të zbatimit të këtij ligji, ekziston një hendek i madh mes fitimeve të paligjshme të kompanive dhe sanksioneve të buta që marrin individët e përfshirë. Dënimet minimale për pronarët dhe diskualifikimet e kufizuara nga prokurimi publik po krijojnë një terren të favorshëm për këto kompani, të cilat, përkundër shkeljeve, vazhdojnë të fitojnë kontrata publike, duke dëmtuar konkurrencën dhe integritetin e sistemit të prokurimit.
Një kompani me histori shkeljesh fiton një tjetër kontratë publike
Kompania NBT-ING SH.P.K ka fituar një kontratë të re publike të shpallur nga Komuna e Prishtinës, këtë herë si pjesë e një konsorciumi me Agim Trolli B.I. Tenderi për “Renovimin e rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit në nyjet sanitare të IEAA dhe objekteve komunale” ka një vlerë prej 88,766.24 euro.
Pronar i kësaj kompanie ishte Bekim Baftijaraj, i cili para pak javëve është dënuar me 2 vite burg për punime të kundërligjshme dhe mosrespektim të standardeve profesionale në kulmin e Komunës së Prishtinës, një incident që shkaktoi dëme materiale dhe plagosjen e një gruaje. Humbjet financiare nga ky rast kapën vlerën e 36,450.29 euro. Tash pronar në kompani është familjari i Bekimit, Behxhet Baftjaraj
Pavarësisht se Kodi Penal i Kosovës dhe Ligji për Prokurimin Publik parashohin ndëshkime edhe për kompanitë në raste të tilla, gjykata vendosi të dënojë vetëm Bekim Baftijarajn, duke e kursyer subjektin juridik. Ligji e lejon dënimin e kompanive për veprimet e paligjshme të pronarëve të tyre, përfshirë gjoba deri në 100,000 euro, pezullimin e veprimtarisë apo ndalimin e pjesëmarrjes në tenderë, por këto masa nuk janë zbatuar.
Historiku i kompanisë: Nga një shkelje në tjetrën
Kompania NBT-ING SH.P.K ka fituar disa kontrata publike, pavarësisht se është dënuar më parë për mashtrime në prokurim. Bazuar në një hulumtim të Organizatës D+, në vitin 2022, pronari i atëhershëm i saj, T.S, u dënua për falsifikim dokumentesh në një tender për renovimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës, ku kishte përfituar 811,372.13 euro. Gjykata e dënoi vetëm pronarin me 2,000 euro gjobë dhe 1 vit burg, por nuk mori masa kundër kompanisë.
Një vit më vonë, kjo kompani u shpërblye me një kontratë tjetër publike në vlerë 386,096.29 euro për renovimin e kulmit të Komunës së Prishtinës.
Në një skemë të përsëritur, pronësia e kompanisë është ndërruar sa herë që pronari është përballur me hetime ose dënime, duke shmangur sanksionet ligjore dhe duke ruajtur aksesin në fondet publike.
Zbatimi i ligjit mbetet problematik
Neni 415 i Kodit Pneal, tek kapitulli ‘Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik’, Paragrafi 4 thotë qartë se, në rast shpalljeje fajtor të kryerësit, gjykata do t’i shqiptojë ndalimin e marrjes pjesë në procedurat e prokurimit publik.
Ligji nuk specifikon nëse ndalimi zbatohet vetëm për individin apo edhe për subjektin juridik (kompaninë), por praktikisht, nëse vepra është kryer në emër të kompanisë dhe ajo ka përfituar nga mashtrimi, atëherë ndalimi mund të aplikohet edhe për kompaninë.
Ndërrimi i pronarit nuk e shfajëson automatikisht kompaninë, sidomos nëse ka vazhdimësi operacionale dhe përfitime nga kontratat e dyshimta.
Nëse dënimi i shqiptuar nga gjykata përfshin ndalimin e pjesëmarrjes në tenderë për personin fizik, atëherë vetëm ai është i prekur.
Nëse gjykata e konsideron që edhe kompania si entitet juridik është përfshirë në mashtrim, atëherë edhe ajo mund të ndalohet nga tenderët.
Pra, ka bazë ligjore që ndalimi të aplikohet edhe për kompaninë, sidomos nëse gjykata e sheh si të nevojshme.
Sipas interpretimit të KRPP-së, nëse një drejtues, menaxher ose pronar i një kompanie dënohet për një vepër penale në prokurim publik, atëherë as ai dhe as kompania nuk mund të marrin pjesë në tenderë për një periudhë deri në 10 vjet.
Por, në rastin e NBT-ING SH.P.K, Bekim Baftijaraj nuk ishte më pronar zyrtar i saj në kohën e dënimit, pasi kishte transferuar pronësinë tek Behxhet Baftijaraj, një praktikë e përdorur më parë nga kompani të tjera për të shmangur penalizimet ligjore.
Kontrata e fundit dhe vazhdimi i aktivitetit
Vetëm disa ditë më parë, NBT-ING SH.P.K fitoi një tjetër kontratë publike për ndërtimin e shkallëve emergjente në shkollat e Prishtinës me vlerë 85,000 euro.
Ndërkohë, Bekim Baftijaraj dhe Ylber Jashari, të akuzuar për rrëzimin e kulmit të objektit të Komunës së Prishtinës, kanë arritur marrëveshje me Prokurorinë për pranimin e fajësisë dhe janë shpallur fajtorë nga Gjykata e Prishtinës.
- Ylber Jashari, i akuzuar për “keqpërdorim të detyrës zyrtare”, është dënuar me 3 vjet burg dhe 5,000 euro gjobë.
- Bekim Baftijaraj është dënuar me 2 vjet burg, ndërsa Prokuroria ka kërkuar mundësinë e zëvendësimit të dënimit me 3,500-4,500 euro gjobë.
Ata janë detyruar gjithashtu të kompensojnë dëmin prej 36,000 euro, ndërsa kompania e tyre vazhdon të fitojë kontrata publike, pavarësisht historikut të shkeljeve ligjore. /Demokracia.com/