Komuna e Podujevës, më 24 prill 2024, ka rekomanduar për kontratë konsorciumin e përbërë nga kompanitë GOE “Lindi Markings shpk & Rinovo shpk” për tenderin e mirëmbajtjes së sinjalistikës horizontale dhe vertikale në këtë komunë. Por, ky rekomandim po kundërshtohet nga dy operatorë ekonomikë të eliminuar, të cilët pretendojnë se konsorciumi fitues ka ofruar dokumente të falsifikuara në ofertën e tij dhe se autoriteti kontraktues ka shkelur rregullat bazë të prokurimit publik duke e shpërblyer atë, shkruan Demokracia.com.
Konsorciumi i përbërë nga operatorët ekonomikë “TSR shpk” dhe “IDK Konstruksion shpk” ka dorëzuar një ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), duke kundërshtuar ashpër vendimin e Komunës së Podujevës për rekomandimin për kontratë të kompanive “Lindi Markings shpk & Rinovo shpk” në tenderin me titull “Shenjëzimet Horizontale dhe Vertikale”.
Sipas ankesës, kompania fituese ka paraqitur një autorizim nga TECOL NPSH, kinse si përfaqësues i autorizuar i prodhuesit slloven “KANSAI HELIOS SLOVENIJA d.o.o.”. Por konzorciumi ankues thotë se e ka kontaktuar vetë këtë kompani dhe ka marrë përgjigje zyrtare se as TECOL, e as LINDI MARKINGS nuk janë dhe as nuk mund të jenë përfaqësues apo distributorë të tyre në Kosovë.
“GOE i rekomanduar për kontratë “Lindi Markings shpk & Rinovo shpk” kanë dorëzuar ofertë të papërgjegjshme. Kjo për arsye se të njëjtit kanë prezantuar një autorizim nga TECOL NPSH kinse si distributor i autorizuar nga prodhuesi slloven KANSAI HELIOS SLOVENIJA d.o.o. Ky autorizim është i kundërligjshëm dhe/apo i falsifikuar pasi që ne kemi siguruar nga prodhuesi “KANSAI HELIOS SLOVENIJA” deklaratën ku thuhet se as TECOL NPSH dhe as LINDI MARKINGS SHPK nuk janë dhe nuk mund të përfaqësojnë prodhuesin KANSAI HELIOS SLOVENIJA d.o.o. në Republikën e Kosovës. Deklarata është dërguar drejtpërdrejtë nga prodhuesi (shih figurën vijuese)”, thuhet në ankesë.
Katalogët e 3M të përdorur pa autorizim
Një tjetër pretendim i rëndë i përmendur në ankesë është përdorimi i katalogëve të kompanisë ndërkombëtare 3M pa pasur fare autorizim nga ky prodhues. Sipas operatorëve ankues, 3M nuk ka asnjë distributor të licencuar në Kosovë, çka e bën të paligjshme përfshirjen e materialeve të kësaj kompanie në ofertën e dorëzuar nga fituesi.
Ankesa ngre edhe akuza për aplikim të standardeve të dyfishta nga ana e Autoritetit Kontraktues gjatë vlerësimit të dokumenteve. Sipas tyre, janë eliminuar për mungesë të një dokumenti për menaxherin e projektit, ndonëse ata pretendojnë se e kanë dorëzuar atë.
“Nga ana tjetër, kompania e shpërblyer nuk ka dorëzuar as CV-në, as diplomën dhe as dokumentin tjetër për menaxherin e propozuar. Por për ta, një deklaratë e thatë është konsideruar e mjaftueshme për të kaluar vlerësimin teknik”, theksohet në dokument.
Pretendimet e tjera kanë të bëjnë me mospërmbushjen e kërkesave për pajisjet teknike. Konsorciumi thotë se “Lindi Markings & Rinovo” nuk kanë dorëzuar fatura tatimore apo doganore për makineritë, por vetëm profatura, të cilat nuk dëshmojnë pronësinë. Në disa raste, thuhet në ankesë, çmimet e deklaruara janë qesharake, si për shembull për një makinë që sipas profaturës kushton vetëm 2,000 euro.
“Sipas Ligjit të Prokurimit dhe dosjes së tenderit, operatori duhet të dëshmojë që është pronar apo ka në dispozicion pajisjet e kërkuara. Profaturat nuk e përmbushin këtë kriter dhe nuk mund të konsiderohen të vlefshme”, thuhet në dokument.
Operatori ankues thekson se fituesi ka dështuar gjithashtu të dorëzojë certifikatat e konformitetit për materialet e ngjyrave që do të përdoren për shenjëzimet rrugore. Sipas tyre, certifikatat e paraqitura janë të përkthyera, por jo të noterizuara dhe jo të lëshuara nga prodhuesi që e përfaqësojnë, gjë që e bën të pavlefshme ofertën.
Gjithashtu, ata theksojnë se nuk janë paraqitur analizat laboratorike të ngjyrave, të cilat janë kërkuar me specifikime të qarta në dosjen e tenderit. Për ta, kjo është një tjetër bazë për përjashtim të ofertës fituese.
Ankesa e përmbyllet me konstatimin se vendimi i autoritetit kontraktues ka qenë i njëanshëm, me favorizim të hapur për një kompani të caktuar, dhe në kundërshtim me ligjin.
Për ta bërë valide ankesën ose për ta hedhur poshtë, çështja do të trajtohet nga Organi Shqyrtues i Prokurimit. Falsifikimi i dokumenteve zyrtare përbën vepër penale sipas Kodit Penal të Kosovës, ashtu siç mund të përbëjë vepër penale edhe paraqitja e pretendimeve të rreme gjatë procedurave të prokurimit publik. /Demokracia.com/