Kompania që s’i përmbush kriteret, shpallet fituese nga Zyra e Kryeministrit

As Zyra e Kryeministrit, Albin Kurti nuk ka shpëtuar nga shkeljet e Ligjit për Prokurimin Publik. Një tender i organizuar nga kjo zyrë për furnizim me kompjuterë ka përfunduar nën shqyrtimin e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), zyrtari i së cilit ka konstatuar shkelje të rënda të rregullave ligjore, duke përfshirë edhe mosvlerësimin e një oferte që, sipas ekspertit shqyrtues, përmbush kriteret për t’u cilësuar si çmim jo-normalisht i ulët. Për më tepër, raporti zbulon se Zyra e Kryeministrit ka dështuar të kërkojë sqarime teknike dhe financiare nga operatori ekonomik i rekomanduar, siç kërkohet me ligj në raste të tilla një mospërfillje e detyrimeve ligjore që e vë në dyshim integritetin e të gjithë procesit të tenderimit, shkruan Demokracia.com.

Një nga tenderët e organizuar nga Zyra e Prokurimit të Kryeministrit të Kosovës është konstatuar që ka shkelje ligjore sipas gjetjeve të raportuara nga eksperti shqyrtues i Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).

Bëhet fjalë për tenderin për furnizim me kompjuterë, ku si ofertues i rekomanduar është përzgjedhur operatori ekonomik Solutions LLC në bashkëpunim me PC Comp, me një çmim prej 4,698.00 euro për njësi dhe me vlere te parashikuar 87 mijë euro. Eksperti shqyrtues ka ngritur shqetësime të mëdha mbi çmimin e ofruar dhe specifikimet teknike të produktit të ofertuar, duke e cilësuar këtë ofertë si “jo-normalisht të ulët”, në kundërshtim me nenin 41.3 të Rregullores për Prokurimin Publik.

Sipas ekspertit teknik, nëse bëhet krahasimi i ofertës së OE të rekomanduar me ofertat e tjera të dorëzuara në këtë aktivitet prokurimi, atëherë plotësohen kushtet për të konsideruar ofertën si me çmim jo-normalisht të ulët. Kjo është një ndër pikat kyçe të rregullores, e cila kërkon që ofertat që devijojnë ndjeshëm nga mesatarja e tregut të vlerësohen me kujdes për qëndrueshmëri ekonomike dhe përputhje teknike.

Për më tepër, eksperti ka analizuar edhe specifikimin teknik të pajisjes së ofertuar, konkretisht modelin ThinkStation P3 Tower, ku OE ka përfshirë një kartelë grafike Nvidia RTX 4500. Kjo kartelë, sipas verifikimeve të kryera nga eksperti në tregun online të teknologjisë Gjirafa50, kushton 2,589.50 euro, edhe pas aplikimit të një zbritjeje. Ky fakt ngre dyshime serioze mbi realitetin financiar të ofertës së Solutions LLC dhe PC Comp, duke e bërë çmimin total të ofertuar të duket jorealist dhe potencialisht të paqëndrueshëm financiarisht.

Duke u bazuar në këtë analizë, eksperti shqyrtues ka dhënë mendimin se oferta përmbush kushtet për t’u klasifikuar si ofertë me çmim jo-normalisht të ulët, dhe për këtë arsye, Autoriteti Kontraktues (në këtë rast Zyra e Prokurimit e Kryeministrit) ka për detyrim të kërkojë një sqarim të detajuar financiar dhe teknik nga OE i rekomanduar.

Nëse operatori ekonomik nuk arrin të justifikojë çmimin dhe përmbajtjen e ofertës në mënyrë të arsyeshme, bindëse dhe të verifikueshme, atëherë sipas rregullores, oferta duhet të refuzohet, për shkak se nuk përmbush kriteret e qëndrueshmërisë ekonomike dhe nuk është në përputhje me kërkesat reale të tenderit.

“Duke u bazuar në sqarimet e lartpërmendura, eksperti shqyrtues/teknik i propozon panelit shqyrtues që ankesa e OE ankues të aprovohet si pjesërisht e bazuar, dhe rekomandon që lënda të kthehet në rivlerësim”, thuhet në vendimin e eksperti, i cili gjeti shkelje ligjore tek oferta fituese.

Por, ën fund, fjalën përfundimtare duhet ta thotë Paneli i OSHP-së. /Demokracia.com/