Kompania ku punon “eksperti gjerman i Kurtit” shpërblehet edhe me një kontratë gjysmëmilionëshe nga KEK’u

Rreth 540 mijë euro i ka kushtuar Korporatës Energjetike të Kosovës blerja e tre ftohësve të hidrogjenit për gjeneratorët elektrik të bllokut B1 dhe B2 të Termoncetralit “Kosova B”. Kontrata tashmë është dhënë, e nënshkrimi pritet të bëhet këtë javë.

Kontrata me vlerë totale prej 539 mijë e 599 euro i është dhënë me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë kompanisë “GE Steam Power Service France”, apo siç ishte personifikuar kompania ku punon “eksperti gjerman i Kurtit”, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

“Pas përfundimit të negociatave, Korporata Energjetike e Kosovës Sh.A. i ndan kontratën GE Steam Power Service France, Zyra Përfaqësuese në Kosovë, me seli në Rrugën Rexhep Luci, hyrja 6/16, kati i dytë, Prishtinë, Kosovë, në një shumë totale prej 539,599.84 EURO me TVSH”, thuhet në vendimin e KEK.


Kjo kompani kishte asistuar në riparimin e turbinës në bllokun B2, para rreth katër vitesh. Edhe atëherë kontrata, që kishte vlerë rreth 250 mijë euro, ishte dhënë me negocim. E njëjta kompani ishte shpërblyer edhe me një kontratë tjetër pa konkurrencë, në vlerë prej 693 mijë euro në vitin 2022.

Në dosje është dhënë edhe një përshkrim i shkurtër i kontratës së re dhe specifikave.

“Blerja e dy ftohësve të hidrogjenit për gjeneratorët elektrik të B1 e B2. Stabilimenti i gjeneratorit elektrik në secilin bllok të TC Kosova B e ka të montuar si nën tërësi edhe sistemin e ftohjes së hidrogjenit. Ky sistem përbëhet prej katër ftohëseve (këmbyes të nxehtësisë special për këtë destinimin) të montuar në pjesën e sipërme të shtëpizës (komorës) së statorit të gjeneratorit elektrik”, specifikohet në dosje.

Nënshkrimi i kontratës është planifikuar të bëhet të enjten.

“Çdo palë e interesuar mund të bëjë ankesë pranë Autoritetit Kontraktues në bazë të nenit 108/A te ligjit Nr. 04/L-042 për Prokurimin Publik të Republikës se Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin Nr. 04/L-237, ligjin Nr. 05/L-068 dhe ligjin Nr. 05/L-092 ne adresën e specifikuar ne Nenin I te këtij Njoftimi për dhënie te kontratës”, thuhet në fund të njoftimit./Reporteri.net