Pas Asamblesë Zgjedhore të datës 7 shkurt, ku u zgjodhën edhe organet e reja drejtuese të futbollit shqiptar, sot nën drejtimin e Presidentit të FSHF-së, Armand Duka është zhvilluar mbledhja e parë zyrtare e Komitetit Ekzekutiv. Sipas procedurës Komiteti përcaktoi dhe miratoi fillimisht dy zëvendës presidentët, respektivisht z.Edvin Libohova dhe z.Lutfi Nuriu, dhe më pas u ndanë edhe Komisionet përkatëse që do të mbulojnë gjithsecili prej anëtarëve.
Mbledhja e ditës së sotme të KE-së u parapri nga një mesazh i hapur i Presidentit të FSHF-së, z.Armand Duka drejtuar anëtarëve të KE-së për objektivat, nismat dhe përgjegjësitë që dalin përpara në këtë mandat të ri 4-vjeçar. Në prani edhe të mediave, Presidenti Duka kërkoi angazhimin maksimal përpara anëtarëve të KE-së për të gjitha prioritetet strategjike të futbollit shqiptar në 4 vitet e ardhëshme. Në mbledhjen e sotme, së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm, Ilir Shulku ishin prezent edhe të gjithë anëtarët e KE-së: Abdyl Kuriu, Arben Dervishaj, Bardhyl Jera, Bardhyl Minxhozi, Edmond Spahiu, Edvin Libohova, Enkelejd Alibeaj, Lutfi Nuriu, Tahir Kastrati dhe Vasil Bicaj./FSHF/