Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së ka vendosur që ta anulojë konkursin për përzgjedhjen e Komisionerit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi.
Me katër vota ‘kundër’ dhe dy ‘pro’, raporti rekomandues i cili u shqyrtua sot nga komisioni, do t’i dorëzohet negativ Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, njofton Klan Kosova.
Në lidhje me këtë gjatë shqyrtimit anëtari i këtij komisioni, Xhelal Sveçla tha se është kundër këtij konkursi dhe ka kërkuar që të anulohet.
Ndërsa, kundër këtij vendimi u shpreh Fadil Beka, i cili tha se nëse anulohet konkursi Kosova do të humb mjaftueshëm fonde nga Bashkimi Europian, ndërsa kërkoi që ky raport të shkojë pozitivisht në Kryesinë e Kuvendit.
Deputetja Aida Dërguti po ashtu u shpreh kundër këtij konkursi pasi tha se asnjëri nga kandidatët nuk plotëson kriteret për komisioner, ndaj kërkoi që rekomandimi të shkojë në kryesi negativisht.
Vendim për anulimin e këtij konkursi për përzgjedhjen e Komisionerit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi, e mbështeti edhe deputeti Labinot Tahiri i cili tha se e respekton edhe vendimin e britanikëve me gjithë kërkesën e OJQ-ve që ky konkurs të mos mbahet, njofton Klan Kosova.