Komisioni për të Pagjeturit del me raport për ecurinë e gërmimeve në Rahovec

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, këtë të premte do të mbajë konferencë për media lidhur me ecurinë e deritanishme të aktiviteteve kërkimore në rajonin e Rahovecit.

Të mërkurën, ky komision nisi gërmimet në lokacionin e njohur si “Përzhina”, në afërsi të varrezave të qytetit, pas analizimit të të dhënave të siguruara nga arkivat ndërkombëtare me përkrahjen e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.

Në njoftimin e KQPZH-së, thuhet se janë gjetur dy pjesë eshtërore, të cilat janë dërguar për ekzaminim në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Ndërkaq, gjatë ditës së djeshme po ashtu janë gjetur mbetje mortore të të paktën një individi, për të cilat dyshohet se mund t’i përkasin viktimave të luftës që figurojnë në listën e personave të zhdukur.

Gërmimet po realizohen nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, Sektori për Hetimin e Personave të Zhdukur Gjatë Luftës në kuadër të Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, si dhe Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur.