Komisioni për Administratë Publike miratoi Ligjin për Paga
Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media ka miratuar amandamentet e projektligjit për paga për sektorin publik, ku ka miratuar edhe uljen e koeficienteve nga 12 sa ishte, në 10.
Me këtë rast, deputetët kanë votuar veç e veç amandamentet e këtij projektligji, me ç’rast ka dërguar në Kuvend amandamentin për RTK-në, ndonëse nuk i kishte votat. Me katër vota “për”, katër “kundër” dhe dy “abstenime” ky ligj u procedua në seancë.
Kryetari i këtij komisioni, Nait Hasani, tha se të gjitha agjencive të cilat financohen nga shteti duhet t’u përcaktohet pragu i pagave. E këtu vëmendje të madhe mori RTK-ja. “Në të ardhmen ne kemi kërkuar që me projektligjin e ri RTK të përcaktojë vet pagat e veta. Ne vetëm mund të përcaktojmë sa mund të jetë rroga minimale dhe maksimale. Nëse financimi kalon direkt nga qytetarët ata i përcaktojnë pagat vet, por nëse financohen nga shteti atëherë nuk mund të jetë ndryshe vetëm se 1:7”, tha ai.
Xhevahire Izmaku, tha se në këtë mënyrë komisioni ka thyer konceptin e shtetit për media të lira.
“Kështu, ne kemi me dalë njerëz total të paditur”, u shpreh ajo.
Kurse, Rasim Selmanaj, tha se RTK-ja duhet të hiqet nga projektligji për pagat në sektorin publik.
“Mendoj se RTK duhet të hiqet nga projektligji për pagat në sektorin publik. dhe mendoj se duhet t’i përcaktohen pagat. Ne këtë punë mund ta rregullojmë këtë me ligjin e RTK-së. Ta heqim këtë nga këtu, mos të lëmë këso hapësira”, u shpreh ai.
Kryetari i komisionit, Nait Hasani, tha se ka kërkesë nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, që të ketë paga të përhershme për disa pozita të caktuara pas përfundimit të mandatit në pozitën përkatëse.
“Kam kërkesë nga kryetari i Kuvendit që për kryeparlamentarin, kryeministrin, për kryeprokurorin e shtetit, prokurorin e gjykatës supreme dhe prokurorin e gjykatës kushtetuese, të jetë një pagë e përhershme me afat të kufizuar për 5 vjet”, tha ai.