Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Autizmit, Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) ka ngritur shqetësimin për sfidat e vazhdueshme që përballin fëmijët në spektrin e autizmit dhe familjet e tyre në Kosovë. Sipas tyre, mungesa e shërbimeve cilësore dhe të qasshme në shëndetësi, arsim dhe mbrojtje sociale mbetet problem kyç, sidomos në identifikimin dhe ndërhyrjen e hershme.
KOMF thekson barrën e rëndë financiare mbi familjet, ku shpesh një prind detyrohet të lërë punën për t’u kujdesur për fëmijën. Ndërkohë, organizatat joqeveritare, pavarësisht kapaciteteve profesionale, mbeten me mbështetje të kufizuar institucionale dhe mbajnë pjesën më të madhe të ofrimit të shërbimeve.
Sfidë serioze mbetet edhe përfshirja në arsim, për shkak të mungesës së stafit të specializuar, asistentëve dhe burimeve të nevojshme, veçanërisht në nivelin parashkollor. Prindërit përballen gjithashtu me stres të lartë dhe vështirësi ekonomike.
KOMF kritikon zvarritjen prej një dekade të projektligjit për personat me aftësi të kufizuara dhe kërkon miratimin urgjent të tij. Organizata bën thirrje për veprime konkrete nga institucionet për të përmirësuar ndërhyrjen e hershme, rritur financimin, fuqizuar arsimin gjithëpërfshirës dhe mbështetur familjet.
Në fund, kërkohet angazhim i gjerë shoqëror për të garantuar të drejta të barabarta dhe integrim të plotë të fëmijëve me autizëm në shoqëri.










