“Komediani” i VV-së, Sami Kurteshi shpall rinumërim pa folur KQZ dhe ende pa përfunduar numërimi që është duke vazhduar

Sami Kurteshi, anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ka thënë përmes një postimi në Facebook,  se ka filluar rinumërimi i të gjitha kutive të votimit në Qendrat Komunale të Numërimit.

Edhe pse ende pa një qëndrim zyrtar të KQZ-së, Kurteshi ka shpallur rinumërimin në të gjitha kutitë e votimit në Qendrat Komunale të Numërimit.

Tutje, anëtari i KQZ-së nga VV’ja, ka shtuar edhe se ky rinumërim do të jetë publik, transparent, i vëzhguar nga vëzhguesit vendorë e ndërkombëtarë.

”Tani ka filluar RINUMËRIMI i të gjitha kutive të votimit në Qendrat Komunale të Numërimit”, ka shkruar ai mes tjerash.

Postimi i plotë;

TË NDERUARA QYTETARE,

TË NDERUAR QYTETARË,

VOTUES TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS

Votimi më 9 Shkurt ka përfunduar me sukses.

Problemet me shpalljen e rezultateve preliminare, ishin të natyrës teknike, për shkak të dështimit të sistemit digjital. Me këtë problem tani janë duke u marrë ekspertët edhe nga Policia e kosovës dhe prokuroria.

Më 9 dhe 10 Shkurt, KQZ ka futur të gjitha të dhënat nga formularët e Vendvotimeve në sistem në mënyrë manuale, edhe me gabime e lëshime, qofshin ato ndonjëherë edhe të qëllimshme. Shumica e tyre tanimë janë identifikuar.

Sidoqoftë, me gjithë këto probleme të cekura, nuk ka vend për shqetësim.

Fletëvotimet, formularët e numërimit nga vendvotimet dhe materialet tjera nga vendvotimet janë të gjitha të ruajtura.

Tani ka filluar RINUMËRIMI i të gjitha kutive të votimit në Qendrat Komunale të Numërimit.

Do të RINUMËROHEN të gjitha kutitë nga vendvotimet.

ÇDO VOTË DO TË RINUMËROHET PËR SUBJEKTET POLITIKE!

Ky RINUMËRIM, një-për-një i çdo vote, është publik, transparent, i vëzhguar nga vëzhguesit vendorë e ndërkombëtarë. Tëgjitha gabimet dhe lëshimet mund të identifikohen me lehtësi dhe të eliminohen.

Çdo qytetar e qytetare, çdo votues që identifikon, vëren apo gjen çfarëdo gabimi, lëshim në votat e publikuara, gjen dëshmi konkrete, të drejtohet në KQZ, qoftë në rezultatet preliminare, qoftë edhe pas RINUMËRIMIT, i lutem mirësisht të lajmërohet në KQZ me telefon, email apo personalisht, duke i ofruar dëshmitë konkrete.

Në ndërkohë, pas ardhjes së të gjitha votave nga Mërgata, do të fillojë verikimi dhe numërimi i votave nga Mërgata, i votave me Kusht dhe i votave të personave me nevoja të veçanta, në QNR, në mënyrë publike, transparente nën syrin e vëzhguesve vendorë e ndërkombëtarë.

Vullneti i Popullit, i qytetares e qytetarit, i votuesit, është i paprekshëm, i pandryshueshëm dhe i patjetërsueshëm dhe do të mbrohet me të gjitha mjetet në dispozicion të shtetit!

NUK KA AS VEND E AS ARSYE PËR SHQETËSIM!