Komandanti i KFOR-it, Enrico Barduani, ka pritur në një takim ambasadorët e të gjitha vendeve kontribuuese të trupave, në shtabin e KFOR-it, në Camp Film City, në Prishtinë.
KFOR në njoftim tha se diskutimi në këtë takim mbuloi “një gamë të gjerë temash”, duke përfshirë trendet e sigurisë në të gjithë rajonin, situatën në Kosovë pas zgjedhjeve parlamentare në shkurt, takimin e fundit të komandantit të KFOR-it me Përfaqësuesin Special të BE-së, Peter Sorensen, dhe aktivitetet dhe bashkëpunimin e KFOR-it me komunitetin ndërkombëtar.
“Të gjithë pjesëmarrësit përsëritën rolin kryesor të luajtur nga KFOR-i në mbështetje të stabilitetit rajonal dhe rëndësinë e unitetit të përpjekjeve drejt sigurisë së qëndrueshme për të mirën e të gjitha komuniteteve”, tha KFOR në njoftim.
KFOR-i përsëriti se vazhdon të kontribuojë për një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, në përputhje me mandatin e tij të OKB-së – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999; në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme; dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë./Express/