Komandanti i KFOR-it informon Komitetin Ushtarak të NATO-s: Situata e sigurisë në Kosovë mbetet e brishtë

Komandanti i KFOR-it, Gjeneral Major Enrico Barduani, ishte sot një seancë informuese përpara Komitetit Ushtarak të NATO-s në selinë qendrore të Aleancës në Bruksel, duke paraqitur gjendjen e sigurisë në Kosovë dhe aktivitetet e misionit të KFOR-it.

Gjenerali Barduani prezantoi arritjet e gjashtë muajve të fundit që nga marrja e komandës së KFOR-it në tetor të vitit 2024.

Ai theksoi rëndësinë e një qasjeje operacionale proaktive për të garantuar që KFOR-i të vazhdojë të përmbushë sfidat aktuale dhe të jetë i përgatitur për ato të mundshme në të ardhmen.

Komandanti i KFOR-it vlerësoi se situata e sigurisë mbetet e brishtë për shkak të disa faktorëve, përfshirë tensionet e vazhdueshme në rajon dhe mungesën e angazhimit të mjaftueshëm nga ana e Beogradit dhe Prishtinës për normalizimin e marrëdhënieve të tyre.

Në këtë kontekst, ai ritheksoi mbështetjen e plotë të KFOR-it për dialogun e lehtësuar nga BE-ja si një kornizë për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme që do të sjellë përfitime për të gjitha komunitetet.

Gjenerali Barduani përsëriti përkushtimin e palëkundur të KFOR-it për një ambient të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët dhe komunitetet në Kosovë, si dhe për garantimin e lirisë së lëvizjes, në përputhje me mandatin afatgjatë të Kombeve të Bashkuara.

Kryetari i Komitetit Ushtarak të NATO-s, Admirali Giuseppe Cavo Dragone, shprehu mirënjohje të lartë për Gjeneralin Barduani, duke lavdëruar udhëheqjen e tij dhe arritjet e qëndrueshme të KFOR-it. Ai theksoi se puna e KFOR-it mbetet thelbësore për konsolidimin e sigurisë afatgjate në Kosovë dhe ruajtjen e stabilitetit rajonal.