Komandanti i FSK-së po qëndron për vizitë zyrtare në Jordani

Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, me ftesë të shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Jordanisë, gjenerallejtënant Mahmoud Frihat, nga data 22 korrik po qëndron për herë të parë në vizitë zyrtare në Jordani.

Vizita e komandantit të FSK-së filloi me pritjen ceremoniale të organizuar nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Jordanisë dhe vazhdoi me takime në mes të dy delegacioneve ku gjenerali Rrahman Rama e njoftoi gjeneralin Frihat dhe delegacionin e tij, për të arriturat e FSK-së dhe procesin e tranzicionit.

Në takime janë zhvilluar diskutime lidhur me identifikimin e fushave të përbashkëta të bashkëpunimit në të ardhmen dhe pritet edhe nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit në mes të dy forcave.

Gjeneral Rama së bashku me delegacionin e tij patën mundësinë të vizitojnë Qendrën Trajnuese të Forcave Speciale, Qendrën Trajnuese për Mbrojtje Kimike Atomike Biologjike, Forcat Ajrore të Jordanisë, si dhe Byronë për Dizajnim dhe Zhvillim, e cila funksionon nën ombrellën e Forcave të Armatosura të Jordanisë.

Komandanti i FSK-së, gjeneral Rrahman Rama shprehu falënderimin për mikpritje gjeneral Frihat dhe e ftoi për një vizitë zyrtare në Kosovë.