Kolona të gjata kamionësh në Merdar, shoferët e mllefosur me Kurtin për ndalimin e importit në pikat e tjera kufitare

Vendimi i Qeverisë së Kosovës që lejon importin nga Serbia vetëm përmes pikës kufitare në Merdar, ka shkaktuar tollovi të madhe të kamionëve. Sipas shoferëve, llogaritet të jenë duke pritur deri në 150 kamionë për të hyrë në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

Sipas vendimit të 7 tetorit të vitit të kaluar, ndalohet importimi i mallrave serbe nga vendkalimet tjera derisa sa të sigurohen skanerët, të cilët do t’i ndihmojnë Doganës së Kosovës në kontrollin e mallrave, pa ndërhyrje fizike.

Një shofer kamioni u shpreh i mllefosur me këtë vendim, duke thënë se ka gjashtë muaj që përballen me ndalesa të tilla në pikat e tjera kufitare.

Ai ka thënë se kreu i ekzekutivit nuk po interesohet për bizneset kosovare, duke thënë se pritja e tij për më shumë se 48 orë ka qenë i mundimshëm.

“Që dy ditë, pa ngrënë e pa pirë, sepse Albini (Kurti) ka vendosur që malli i Serbisë të vijë në Merdar e sipas tij vetëm Merdari është shtet në Kosovë e asgjë tjetër. Unë kam pasur të shkojë në Prishtinë, e ka bërë pa çare të vijnë këtu të gjithë, ka bërë tollovi shumë të madhe. Që pesë muaj dhe deri në 150 kamionë nonstop janë në linjë duke pritur. Që 48 orë (duke pritur), qe sa erdha duke pritur në rrugë. A kam pasur bukë e ujë, nuk i ha palla atij (Kurtit). E kam pasur shumë të vështirë, ngrënia në kamion, fjetje në kamion, e kjo është marria e Zotit çka po i bën bizneseve të Kosovës… unë e kam votuar herën e kaluar por kurrë më, marri se çfarë po bën, e këndej po krenohet me rritje të buxhetit”, u shpreh ky shofer, teksa tha se po e mendon edhe migrimin.

“Ma ka gërdit jetën, kam mbetur 53 vjeç këtu, por ta kisha ditë kurrë nuk kisha qëndruar këtu. Pa bukë kemi qëndruar e pa ujë, është dashtë 4-5 kilometra me ble diçka në Mërdar, e arsyeja është se ky terminali doganor nuk mund ta përballojë gjithë këtë fluks”.

I shqetësuar u shpreh edhe një shofer tjetër, ndonëse nuk ishte në dijeni për vendimin e datës 7 tetor.

“150 kamionë janë, që nga dje prej orës 12 duke pritë. Nuk e di pse, por pyeteni Albin Kurtin, e ai e din se përse i ka vendos këto masa. Vështirë ka qenë, pa bukë e pa ujë, jemi bërë si rrugaçë”, u shpreh një tjetër shofer.

I mllefosur i shpreh edhe një shofer nga nacionaliteti serb.

“Nuk mund të flasë unë, tollovi shumë, asgjë nuk bën. Dy ditë e gjysmë po pres kot, kjo është katastrofë”.