Kolona e veteranëve dhe qytetarëve duke e kaluar kufirin për të shkuar në protestë në Tiranë – pamje

Veteranët e Uushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e kanë kaluar këmbë kufirin me Kosovës dhe Shqipërisë.

Të veshur në uniformën e UCK-së e të rreshtuar një nga një, në këtë formë ata janë nisur drejt Tiranës, atje ku sot në orën 17:00, në sheshin “Skënderbej”, do të mbahet protesta gjithëkombëtare në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po mbahen në paraburgim nga Gjykata Speciale në Hagë.

 

Protesta është organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së dhe ka për qëllim të kërkojë drejtësi për të akuzuarit dhe të mbrojë vlerat e luftës çlirimtare.

VIDEO

 

Në mbështetje të protestës, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë e Shqipërisë ka vendosur që Rruga e Kombit të jetë pa pagesë për 24 orë, për të lehtësuar qarkullimin e pjesëmarrësve nga Kosova dhe viset e tjera shqiptare.

Protesta ka marrë mbështetje të gjerë nga organizata të dala nga lufta. Këshilli Koordinues i Shoqatave të Luftës ka deklaruar përkrahje të plotë, duke theksuar se protesta është reagim i drejtë ndaj asaj që ata e cilësojnë si “padrejtësi ndaj çlirimtarëve të Kosovës”.

VIDEO

“Nëse ka drejtësi, krerët e UÇK-së do të lirohen dhe do të kthehen faqebardhë. Është koha që kjo re e zezë mbi Republikën e Kosovës të përfundojë,” deklaroi Xhavit Jashari, kryetar i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të Kosovës.

 

Ndërkohë, edhe Shoqata e të Burgosurve Politikë, përmes kryetarit Shefik Sadiku, ka bërë thirrje për transparencë nga Gjykata Speciale dhe për përfundimin sa më të shpejtë të mandatit të saj.

“Mbështesim protestën në Tiranë dhe çdo përpjekje për të mbrojtur vlerat e luftës sonë çlirimtare. Gjykata duhet të shmangë çdo padrejtësi të mëtejshme,” tha Sadiku.

 

Pjesëmarrësit pritet të vijnë nga të gjitha trevat shqiptare dhe mërgata, në një tubim që synon të përcjellë unitet kombëtar dhe kërkesë të qartë për drejtësi në procesin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.