Kolo Muani, gjithnjë e më afër kthimit te Juve. Kështu, Vlahović mund të largohet, Milani bën ofertën e parë

Juventusi ka realizuar një goditje të zgjuar, duke siguruar shërbimet e Jonathan David, përmes një operacioni me 12.5 milionë euro komisione. Një marrëveshje që mund të bëhet edhe më e rëndësishme nëse Randal Kolo Muani i bashkohet gjithashtu. “La Repubblica” analizon sot lëvizjet ofensive të “Zonjës së Vjetër” në merkato.

Drejtori i përgjithshëm i Juventusit, Comolli, po punon për të mbyllur marrëveshjen me PSG-në, duke pranuar që e drejta e blerjes të shndërrohet në detyrim: 10-15 milionë euro menjëherë për huazimin, plus 30-35 milionë euro të tjera për blerjen përfundimtare në vitin 2026.

Ky përshpejtim vjen në një moment kur gjithçka lidhet edhe me të ardhmen e Dusan Vlahović, që gjithnjë e më shumë është në qendër të kalimit të mundshëm te Milani. Kuqezinjtë kanë hequr dorë nga pritja dhe, sipas gazetës italiane, kanë dërguar ofertën e parë zyrtare te Juventusi: 10 milionë euro “cash”, plus kartoni i Ismaël Bennacer, një nga lojtarët që pëlqehet më shumë nga drejtuesit bardhezinj, më shumë se Adli, Chukwueze, Okafor apo Musah.

Përgjigjja e parë e Juventusit ka qenë e ftohtë, por fakti që bisedimet janë hapur tregon se diçka po lëviz. Sinjal i rëndësishëm vjen edhe nga qëndrimi pozitiv i Vlahović ndaj një transferimi te Milani. Ndjesia është që marrëveshja mes klubeve mund të jetë më e lehtë se ajo mes lojtarit dhe palëve, por negociatat tashmë janë futur në fazën vendimtare dhe e ardhmja e Vlahović mund të marrë gjithnjë e më shumë ngjyrat kuqezi.

The post Kolo Muani, gjithnjë e më afër kthimit te Juve. Kështu, Vlahović mund të largohet, Milani bën ofertën e parë appeared first on Telesport.