Kokalla: Në ditën kritike jam takuar me Naimin, mi përmendi problemet bashkëshortore

Në vazhdim të dëshmisë së tij, i akuzuari për vrasjen e Liridona Ademaj, Kushtrim Kokalla, ka deklaruar se në takimin e dytë me Naim Murselin dhe Granit Plaven, këtij të fundit i janë dhënë 500 euro.

Kokalla në dëshminë e tij ka theksuar se problemet mes bashkëshortëve kanë qenë të njohura për të gjithë dhe lidhen me çështje xhelozie.

Në dëshminë e tij në gjykatë, ai ka treguar për takimet me Murselin dhe persona të tjerë, si dhe për rrethanat para dhe pas ditës kritike, duke mohuar përfshirjen në ndonjë plan kriminal.

“Pas takimit të parë, takimi i dytë ka qenë 4-5 ditë pas takimit të parë. Jemi takuar te Benita në udhëkryqin Klinë-Gjakovë. Nuk e di a kam qenë në shtëpi apo në lokal në fshat, ka ardhur Graniti me veturën e tij, me veturën e shefit të tij dhe më ka thënë se po na pret Naimi te Benita dhe pastaj kemi vazhduar bashkë dhe kemi takuar Naimin”, tha ai.

Ai ka rrëfyer edhe për një shumë parash që, sipas tij, i është dhënë gjatë një takimi.

“Kur kemi shkuar me Granitin, jemi ulur dhe mi ka dhënë mua 300 euro për pagesë të kredisë pasi unë kam marrë kredi për Naimin. Ndërsa aty edhe një shumë prej 500 euro ia ka dhënë Graniti. Mua nuk më kujtohet që i ka thënë diçka, vetëm ia ka dhënë dhe i ka thënë ‘knaqhu’. Unë mbeta i shokuar. Graniti, në prezencën time, nuk ia ka kërkuar, nuk është biseduar rreth rastit”, tha ai.

Kokalla ka thënë se në ditën kritike është takuar me Murselin, i cili, sipas tij, kishte përmendur probleme bashkëshortore.

“Ditën kritike jam takuar me Naimin. Naimi ka ardhur te unë në Gjakovë dhe tha a e ke gati me rregullu automjetin. Këso lloj bisedash. Dhe më ka folur se ka pasur problemet e tij me Liridonën”, tha ai.

Gjatë seancës, avokati i tij i ka rikujtuar një deklaratë të mëhershme të dhënë në polici, ku thuhej se Murseli i kishte kërkuar për një vit që ta kryente vrasjen.

“Pasi Naimi ka një vit që ma ka lutur që ta kryej këtë vrasje, unë i kam thënë nuk vjen në shprehje të bëj këtë punë dhe mos më thuaj më asnjëherë. A të kujtohet që këtë deklaratë e ke bërë në polici?”, tha avokati.

Kokalla u përgjigj: “Po, më kujtohet.”

Ai shtoi se ka qenë në dijeni për problemet mes bashkëshortëve, por jo për ndonjë plan për vrasje.

“Unë kam në dijeni se kanë probleme mes Naimit me të ndjerën, por nuk jam i vetmi person që jam në dijeni se kanë pasur probleme mes vete. Problemet e tyre i kanë ditur familja Ademaj dhe familja e Naimit dhe të gjithë i kanë ditur, i madh e i vogël. Punë xhelozie, punë të tilla”, tha ai.

I akuzuari ka kontestuar edhe mënyrën se si janë marrë deklaratat e tij në polici.

“Nuk e di a është e saktë që e kam dhënë atë deklaratë siç më ka thënë Naimi, duke aluduar në vrasjen e gruas së tij. Unë kam deklaruar shumë më gjatë në polici, por policia nuk i ka futur në procesverbal të gjitha ato që kam deklaruar, i kanë futur vetëm ato që janë në favor të tyre dhe jo që janë në favor timin”, tha ai.

Ai ka thënë se takimi me Murselin në ditën kritike ka zgjatur rreth 10 minuta dhe se nuk ka pasur komunikime të tjera përveç një mesazhi.

“10 minuta nuk besoj që kemi ndejtur më shumë sepse unë isha duke u marrë me punë të mia. Nuk e di kah ka shkuar Naimi, nuk më kujtohet. Nuk e kam pyetur se çka është duke i vyer me u taku me Granitin, as që më ka interesuar”, tha ai.

“Veç një SMS që më ka shkruar Naimi dhe më ka pyetur ku je dhe unë i kam thënë jam në shtëpi, ndoshta ka qenë ora 15:00”, shtoi ai.

Kokalla deklaroi se nuk ka qenë në dijeni për lëvizjet e të akuzuarve të tjerë atë ditë.

“Jo, nuk kam qenë në dijeni për lëvizjet e tyre se çka kanë bërë e kah kanë shkuar”, tha ai.

Ai foli edhe për kredinë që kishte marrë për Murselin.

“E kam pyetur pse dhe më ka thënë se për shtëpi, se më janë bllokuar disa gjëra dhe unë kam shkuar në bankë, më është aprovuar kredia dhe ia kam ofruar. Nuk e kam pyetur pse, si djalë të dajës që e kam”, tha ai.

Duke përshkruar momentin kur ka marrë vesh për rastin, ai tha se fillimisht kishte menduar se bëhej fjalë për një grabitje.

“Unë kam qenë në shtëpi… Mua më ka thirrur Flori, shoku që ka qenë dëshmitar këtu, dhe më ka thënë a i ke parë gazetat se çka ka ndodhur… Kur kam parë që është grabitje, se ashtu është dalë në fillim, dhe unë kam provuar ta thërras Naimin në telefon, por ka qenë i ndalur. 20-30 minuta më vonë del vrasje”, tha ai.

Ai shtoi se më pas ka shkuar në Prishtinë bashkë me familjarë dhe ka qëndruar me Murselin pas daljes së tij nga stacioni policor.

“Kur ka dalë Naimi, ka dalë bashkë me Valon Lluka, i cili e mbante Naimin nga krahu… I thashë po unë po qëndroj me të atë natë”, tha ai.

Sipas tij, gjatë qëndrimit në hotel nuk është diskutuar për rastin.

“Nuk më kujtohet se kemi biseduar rreth kësaj ngjarjeje. Valoni me Naimin kanë qëndruar më gjatë”, tha ai.

Në fund, ai konfirmoi edhe një deklaratë tjetër të mëhershme lidhur me një bisedë me Murselin.

“Më kujtohet, por i kam thënë mos më fol për këso gjëra mua”, tha ai.

Ai shtoi se atë natë kishte refuzuar edhe një ftesë për takim nga një person tjetër.

“Duke qëndruar me Naimin në dhomë, aty ka qenë edhe Valon Lluka, në një moment Graniti më ka shkruar: ‘Granit, a po vjen në diskotekën Lit në Prishtinë’. I kam thënë jo dhe nuk jam takuar më me të”, tha ai.