Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje, në vitet e para të qeverisjes, merrte merita kur Kosova renditej më lartë në raportin e Indeksit të Lirisë së Mediave, nga Reporterët pa Kufij.
Ishte vetë Kurti që kur ishte kryeministër në vitin 2023, kishte publikuar një shkrim në Twitter, ku e lavdëronte qeverisjen e tij për punën me media.
“Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, ne jemi krenarë të njoftojmë se sipas Reporterëve pa Kufij, Kosova përmirësoi pozicionin e saj me 22 vende në 2 vjet për mjedisin e saj gazetaresk. Një shtyp i lirë dhe i pavarur do të mbetet gjithmonë një shtyllë e rëndësishme e demokracisë dhe e vendit tonë”, shkruante Kurti aso kohe.
Sot, Kurti asnjë fjalë. Kosova në mesin e vendeve me më së paku liri të mediave, dhe Kurti nuk pranoi të përgjigjet. Madje, truproja i tij e shtyu fizikisht gazetarin që po insistonte të merrte një përgjigje.
Në vitin 2022 dhe 2023 kur Kosova shënonte ngritje, zëdhënësi i VV-së që sot zgjodhi t’i kundërshtojë rezultatet, krenohej me rezultatet e raporteve të kaluara.
Arlind Manxhuka e shpërndante në rrjete sociale raportin me suksese për Kosovën, kur lavdërohej liria e mediave.
“Kosova në rangun më të lartë ndonjëherë në Indeksin e Lirisë së Shtypit. Sivjet Kosova radhitet 17 vende më lart se në vitin 2021”, shkruante Manxhuka.
E sot, zëdhënësi Manxhuka eskaloi duke thënë se ata që janë përgjigjur këtë raport, janë kundër Qeverisë.
“Këta që sot po reagojnë “të çuditur” me raportin janë ata që kanë dhënë përgjigje para përpilimit të këtij raporti. Pra, raporti flet për Kosovën sikur kanë folur këta të Kosovës. Duke dashur ta godasin Qeverinë përmes raporteve, në fakt janë duke dalë edhe më joseriozë. Liria, mendimi, liria e mendimit, shprehja, asnjëherë nuk janë ndalur e as s’mund të ndalen. Por, gënjeshtra ka kosto, nëse jo përmes normash, atëherë me humbje kredibiliteti. Dhe për këtë kanë përgjegjësi këta që sot po “çuditen””, shkruan Manxhuka.


Edhe në faqen e qeverisë dikur, kishte krenari për suksesin në lirinë e mediave. Sot, sërish, asnjë fjalë.
Kosova ka shënuar rënien më të madhe në 15 vjetët e fundit në Indeksin e Lirisë së Shtypit, në të dhënat e Reporterëve pa Kufij.
Veç për dallim me vitin e kaluar, Kosova ka shënuar rënie për 24 pozita. Pra, me ardhjen në pushtet të qeverisë Kurti, gjuhës ndaj gazetarëve, Kosova në këtë raport, ka shkuar vetëm duke shënuar rënie, duke kulmuar me këtë të fundit.
Në vitin 2023 Kosova renditej në vendin e 56 në botë, në vitin 2024 Kosova u rendit në vendin 75, kurse këtë vit, Kosova ka shënuar rënie ekstreme, duke u renditur si e 99 na 180 shtete.


Kosova renditet më së keqi jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por në gjithë Bashkimin Evropian.
Nëse flitet për indikatorët, në atë politik Kosova ka shënuar rënie prej pozitës 59 në pozitën 93.
Në indikatorët ekonomik, Kosova vitin e kaluar ishte në pozitën 71, sivjet është në 101. Rënie ka edhe në indikatorët social dhe të sigurisë, kurse ngritje në atë legjislativ.
Raporti ka përmendur gjuhën e rëndë që përodret ndaj gazetarëve, duke theksuar ato nga pushteti, që i ndërlidh gazetarët me Serbinë.
“Edhe pse gazetarët janë të besuar nga shoqëria, mediat e pavarura dhe gazetarët investigativë shpesh janë objektiva të fyerjeve dhe lajmeve të rreme në mediat sociale. Ata akuzohen padrejtësisht për “bashkëpunim me armikun”, retorikë e përdorur nga grupet politike dhe fetare”, thuhet në raport.
Raporti e përshkruan Kosovën si treg medial pluralist, duke përmendur RTK-në si transmetues publik. Në mesin e problemeve theksohet cenimi i pavarësisë së RTK-së, si dhe ligjit për KPM-në i cili u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese. Përmenden edhe sulmet politike.
“Edhe nëse media arrin t’i mbajë politikanët përgjegjës, gazetarët vazhdojnë të jenë shënjestra e sulmeve politike. Komisioni i Pavarur i Medias (KPM), iu nënshtrua një reforme legjislative kontraverse që rrezikon të pengojë më tej pavarësinë e tij. Para zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2025, disa media private u shënjestruan nga një bojkot nga qeveria, i cili kërcënoi gjithashtu pavarësinë e transmetuesit publik RTK. Mediat në gjuhën serbe, të cilat janë nën presion nga forcat politike serbe, janë ankuar për diskriminim në aksesin në informacionin publik, veçanërisht në gjuhën e tyre, e cila është ajo e pakicës kushtetuese”, thuhet në raportin e Reporterëve pa Kufij.
Raporti flet edhe për aspektin ekonomik të mediave.
“Media financohet kryesisht nga të ardhurat nga reklamat nga sektori privat dhe ndonjëherë mbështetet edhe nga autoritetet komunale ose partitë politike. Përveç kësaj, përmes pronarëve të tyre, redaksia e mediave private është e ekspozuar ndaj ndërhyrjeve nga grupe të fuqishme politike ose biznesi. Mediat në gjuhën serbe përballen me sfidën shtesë të një tregu të vogël në të cilin disa media varen nga financimi nga Serbia fqinje, ndërsa mediat e pavarura nuk do të mbijetonin pa financim ndërkombëtar”, thuhet në raport.