Koci thotë se një ish-pjesëtar i Njësisë Speciale është ndaluar në Serbi

Avokati, Arianit Koci ka bërë të ditur se një ish-pjesëtar i Njësisë Speciale Operative (NjSO), është ndaluar më 7 qershor nga autoritetet serbe në pikën kufitare Horgosh dhe është dërguar në qendrën e ndalimit në Kanjizë.

Ai ka thënë se Arbnor Sejdiu është marrë në pyetje për rastin “Banjska”, edhe pse sipas tij i njëjti ka tri vite që nuk është më pjesë e Policisë së Kosovës dhe jeton në Gjermani.

Koci pretendon se ndalimi i Sejdiut është reagim i drejtëpërdrejtë ndaj dënimit për spiunazh të ish-policit, Aleksandar Vlajiq, pak ditë më parë.

“Ky rast është serioz dhe nuk është i izoluar. Vetëm pak ditë më parë, një ish-polic tjetër – Aleksandar Vlajiq – e ka pranuar fajësinë se ka punuar për shërbimin sekret serb (BIA) dhe është dënuar për spiunazh. Me këtë është vërtetuar se BIA serbe ka vepruar brenda territorit të Kosovës dhe brenda strukturave të saj të sigurisë. Ndalimi i Arbnorit po duket si reagim i drejtpërdrejtë ndaj këtij zbulimi. Një përpjekje për të frikësuar, për të ndëshkuar dhe për të krijuar pasiguri – sidomos për ata që dikur kanë shërbyer në institucionet e sigurisë së Kosovës. Ky është një sinjal i qartë për të gjithë qytetarët e Kosovës: kalimi nëpër Serbi nuk është pa rreziqe. E dini që pak ditë më parë, është ndaluar edhe një ish-deputet. Pas disa orë marrjesh në pyetje, është liruar”, ka shkruar ai në Facebook.

Tutje, Koci ka kërkuar reagim urgjent nga Ministria e Punëve të Jashtme, Zyra Ndërlidhëse në Beograd dhe të gjitha institucionet përgjegjëse, pasi sipas tij vetëm mbrojtja e tij nuk mjafton.

“Jam angazhuar për mbrojtjen e Arbnorit me të gjitha mjetet ligjore. Por kjo nuk mjafton. Kërkoj reagim urgjent nga Ministria e Punëve të Jashtme, Zyra Ndërlidhëse në Beograd dhe të gjitha institucionet përgjegjëse. Sepse heshtja e sotme e nxit Serbinë të vazhdojë me ndalime të tjera. Dhe asnjë qytetar i Kosovës nuk duhet të përballet i vetëm me një padrejtësi të tillë. Nuk e lë vetëm askend – me të gjitha mundësitë dhe kapacitetin profesional që e kam. Kultura shtetërore, patriotizmi fillon pikërisht aty – te mbrojtja e njerëzve/shtetasve të vet. Të gjithë për një, një për të gjithë – duhet të jetë motoja e jonë, pa paragjykuar asgjë”, ka thënë në fund të postimit Koci.

The post Koci thotë se një ish-pjesëtar i Njësisë Speciale është ndaluar në Serbi appeared first on TËVË 1 – Lexoje të vërtetën!.