Koci: Akuzat ndaj ish-policit Arbnor Spahiu janë të pabazuara

Avokati Arianit Koci, i angazhuar nga familja e ish-policit kosovar Arbënor Spahiu, ka reaguar pas arrestimit dhe vendimit për paraburgim ndaj klientit të tij nga autoritetet serbe. Koci ka shprehur shqetësim serioz për mënyrën se si është arsyetuar masa e paraburgimit, duke e cilësuar si të paargumentuar.

Avokati Arianit Koci, i angazhuar nga familja e ish-policit të Kosovës, Arbnor Spahiu, ka reaguar pas arrestimit dhe vendimit për paraburgim ndaj klientit të tij nga autoritetet serbe. Koci ka shprehur shqetësim serioz për mënyrën se si është arsyetuar masa e paraburgimit, duke e cilësuar si të paargumentuar.

“Procedura është ende në vijim. Tash për tash, jemi në një betejë ligjore për ta nxjerrë Arbnorin nga paraburgimi, sepse me të vërtetë nuk ka asnjë lidhje me këtë rast”, ka deklaruar Koci.

Sipas tij, Arbnor Spahiu akuzohet nga autoritetet serbe për vrasje të trefishtë, sipas nenit 114 të Kodit Penal të Serbisë, duke pretenduar se ai ka qenë pjesë e një njësie snajperiste gjatë ngjarjeve në fshatin Banjska. Por, avokati hedh poshtë këto pretendime si të pavërteta.

“Arbnori kurrë nuk ka qenë snajperist. Ai ka qenë polic i rregullt dhe më pas pjesëtar i njësisë speciale, por nga kjo pozitë është larguar me kërkesë personale për bashkim familjar. Kërkesa e tij është bërë në tetor 2022 dhe është aprovuar në nëntor të po atij viti. Ai jeton me familjen e tij në Gjermani”, shpjegoi Koci.

Ai theksoi se arsyetimi për caktimin e paraburgimit është i mangët, pa prova konkrete dhe pa bazë të qartë ligjore.

Koci gjithashtu foli edhe për një deklaratë të tij se në dokumentet e rastit figurojnë disa dëshmitarë, por nuk tha nëse janë pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

“Kam thënë se janë përmendur disa policë, por nuk kam konfirmuar se a janë pjesë e Policisë së Kosovës apo jo. Informacione të tjera nuk mund të jap në këtë fazë, për shkak të ndjeshmërisë së rastit”, shtoi ai.

Në fshatin Banjskë në shtator të vitit 2023 u vra rreshteri Afrim Bunjaku nga grupi terrorist i udhëhequr nga krimineli Milan Radoiçiq.

Autoritetet serbe pretendojnë se Spahiu ka marrë pjesë në përballjen e armatosur, ndonëse ai kishte dhënë dorëheqje nga Policia e Kosovës një vit përpara ngjarjes.

The post Koci: Akuzat ndaj ish-policit Arbnor Spahiu janë të pabazuara appeared first on Kosovapost.net.