Bekim Nerjovaj, një nga figurat më të votuara të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në Prizren, ka njoftuar dorëheqjen nga partia, bashkë me të gjitha nëndegët e Hasit, përveç asaj të Zymit.
Në një komunikatë për media, Nerjovaj ka bërë të ditur se vendimi vjen pas arritjes së një koalicioni politik pa konsultim me kandidatët dhe strukturat e partisë në terren..
Ai ka shprehur falënderim dhe mirënjohje për qytetarët që e kanë mbështetur gjatë angazhimit të tij politik.
“Shfrytëzoj rastin t’i falënderoj nga zemra të gjithë qytetarët që më kanë mbështetur dhe t’u shpreh mirënjohjen time të përjetshme për besimin dhe përkrahjen e tyre,” ka shtuar ai.
Dorëheqja e Nerjovajt shihet si një zhvillim i rëndësishëm brenda strukturave të AAK-së në Prizren, pasi ai ishte kandidati i dytë më i votuar në degë dhe një nga përfaqësuesit më aktivë të kësaj partie në rajonin e Hasit.










