KMDLNJ reagon për situatën me mbeturina: Po krijohen kushte për përhapje të epidemive

Lidhur me situatën me mbeturinat në Prishtinë ka reaguar edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ).

Nga KMDLNJ është thënë se situata po rrezikon shëndetin e qytetarëve dhe po krijon kushte për përhapje të ndonjë epidemie.

“Nuk është hera e parë që mbeturinat nuk po grumbullohen dhe duket se askush nga përgjegjësit nuk ka nxjerrë mësim nga ky dështim që seriozisht po e rrezikon shëndetin e qytetarëve duke krijuar kushte për përhapje të ndonjë epidemie. Mbeturinat e grumbulluara mbi dhjetë ditë përveç se kundërmojnë shumë, janë shpërndarë nga qentë endacakë duke e rritur numrin e tyre sikur edhe duke e rritur agresivitetin. Për qytetarët e Prishtinës nuk ka asnjë rëndësi kontesti midis komunës dhe kompanisë “Pastrimi”, por është me rëndësi të marrin shërbimet për çka edhe paguajnë”, është thënë në reagim të KMDLNJ-së.

KMDLNJ i ka ftuar palët të bëjnë zgjidhje të shpejtë, qoftë edhe të përkohshme, për menaxhimin e mbeturinave dhe ka ftuar prokurorinë që të hetojë rastin e të identifikohen përgjegjësit.

“Nëse nuk bëhet një zgjidhje e shpejtë dhe e qëndrueshme,  KMDLNJ fton qytetarët që mbeturinat t’i vendosin në oborrin e Qeverisë së Kosovës,  Komunës së Prishtinës dhe kompanisë ‘Pastrimi’.  KMDLNJ fton qytetarët t’i paguajnë me rregull faturat për mbeturina në mënyrë që kjo çështje të krijojë qëndrueshmëri”, është thënë në reagim.