Klopp “nxin’ Botërorin për Klube: Është çnjerëzor, ideja më e keqe e zbatuar ndonjëherë në futboll

Jürgen Klopp, ish-trajneri i Liverpool-it dhe sot figurë kyçe brenda projektit futbollistik të “Red Bull”, ka bërë deklarata të ashpra ndaj formatit të ri të Kupës së Botës për Klube, që po zhvillohet në SHBA. I intervistuar nga gazeta gjermane “Die Welt”, Klopp ka shprehur gjithë shqetësimin e tij për ngarkesën e tepruar të kalendarit, duke e quajtur këtë kompeticion një “çmenduri absolute” dhe “ideja më e keqe që është zbatuar ndonjëherë në futboll”.

Sipas teknikut gjerman, ky kompeticion nuk bën gjë tjetër veçse e rëndon edhe më shumë barrën e futbollistëve, tashmë të rraskapitur nga ritmi dhe kalendari i ekzagjeruar: “E kuptoj që për disa klube paratë janë të shumta, por nuk është kështu për të gjithë. Lojtarët nuk kanë më kohë të rikuperohen, as fizikisht e as mendërisht. Vitin e kaluar ishte Kupa e Amerikës dhe Europiani, këtë vit Kupa e Botës për Klube, vitin tjetër Kupa e Botës së kombëtareve. Kur duhet të pushojnë futbollistët?”

Klopp, gjithashtu përmendi deklaratat e fundit të Raphinha, i cili ka kërkuar më shumë respekt për lojtarët, duke theksuar se “edhe ai që fiton shumë, ka të drejtë të pushojë pak”.
Më pas bëri një krahasim të drejtpërdrejtë: “Një lojtar i NBA-së fiton shumë dhe pushon 4 muaj në vit. Virgil van Dijk nuk ka pasur kurrë një pauzë të tillë, as ato paga”.

Ajo që e shqetëson më shumë ish-trajnerin e Liverpool-it është ndikimi mbi shëndetin e futbollistëve: “Kam frikë nga një valë dëmtimesh që nuk është parë ndonjëherë. Kërkohet që futbollistët ta luajnë çdo ndeshje sikur të ishte finale, 70 ose 75 herë në vit. Nuk mund të vazhdohet kështu. Pa pushime, edhe vetë produkti humbet vlerën”.

Në fund, Klopp e mbylli me një kujtim domethënës nga eksperienca e tij në pankinë: “Në gjithë karrierën time, vetëm një herë kam pasur përgatitje prej dy javë e gjysmë me të gjithë skuadrën në dispozicion. Pastaj kemi luajtur çdo tri ditë për një vit të tërë. Është çnjerëzore”.

The post Klopp “nxin’ Botërorin për Klube: Është çnjerëzor, ideja më e keqe e zbatuar ndonjëherë në futboll appeared first on Telesport.