Vjet, Qeveria e Kosovës e bëri Klinikën Obstetrike dhe Gjinekologjike me godinë të re. Siç ndodh zakonisht kur bëhet hop pa e kapërcyer lumen, ajo u pa si një ‘happy end’ për gra që tani e tutje do të kishin lindje të mbara. Por as ndërtesa e re dhe as ajo e vjetër nuk bëjnë farë dallimi për mijëra gra. Brendësia e saj ka prodhuar e prodhon mijëra rrëfime tmerri, zullumi psiqik e përvoja që do të gërryejnë shëndetin mendor një jetë të tërë. Dhuna obstetrike nuk ka bërë vend ende në diskursin e brendshëm, porse ajo po shfaqet me tërë ashpërsinë e saj në kurriz të nënave që sjellin jetë të reja. Dhjetëra rrëfime po bëhen të paanshkalueshme dhe që të gjitha flasin me një gojë. Stafi i brendshëm me mami, infermiere e doktorë e ka rutinalizuar dhunën: bërtima, fyerje, poshtërime e ndonjëherë edhe shuplakosje. Ashtu siç e thonë studimet nga vendet e tjera, edhe Kosovës i shkon për shtat shpjegimi që këtë problem e shpjegon sipas një cikli shkak-pasojë. Në krye qëndron shëndetësia e harruar e me resurse të pakta; kjo pjell maternitete të mbingarkuara e staf të paktë dhe, pasojisht, keqtrajtimet e pafundme i paguajnë gratë.
Col MEHMETI
Në vitet ‘80 kur qielli po errej nga rétë e nacionalizmit serb, rockeri e kantautori Bora Gjorgjeviq e shkroi lirikën e tij të parë për Kosovën.
Plot nga vargjet ngjanin si të pafajshme e lojë fjalësh duke u shërbyer me këngë për fëmijë: “Eci peci pec/ ia sam malji zec/ jedem malji dec/ Veljiki mi trb/ jedem malji Srb”. (Përkthimi: Eci peci pec/ jam një lepurosh/ e ha nji pulë të vogël/ Bark të madh kam/ e ha nji serb të vogël).
Përkthimi ia humbet rimën origjinale, por mesazhet e përfundshme janë tejet keqdashëse.
Sipas akademikes dhe gazetares amerikane Sabrina Petra Ramet, ky ishte një shembull taze kur disa nga grupet rock’n’roll në ish-Jugosllavi po i bënin gjithnjë e më eksplicite përmbajtjet e tyre antishqiptare.
Duke iu dhënë zë qarqeve nacionaliste në Beograd, lirika e mësipërme e Gjorgjeviqit sipërfaqte frikën serbe për rritjen demografike të shqiptarëve në Kosovë e Maqedoni.
Kësodore, rockeri serb e krahasonte shqiptarin me ‘lepurosh’ (malji zec) që kishte karakteristika njeringrënëse kundrejt serbit të vogël (malji zec).
Zëra nga ana tjetër: tmerr, keqtrajtime e trauma
Një qasje e tillë përçmuese ndaj nënave të reja është bërë praktikë lemeritëse në Klinikën Obstetrike dhe Gjinekologjike të QKUK-së për nënat e reja.
Kujdesi fetal, maternal e neonatal mund të jetë kujtimi më i rëndë me përvoja të frikshme në duart e mantelbardhëve.
Disa shënime të kolegut Burim Pacolli, që zërojnë dhjetëra ankesa nënash, janë të tilla që flasin për përpjestime të gjera të dhunës obstetrike e gjinekologjike në Kosovë.
Pjesa më e madhe e rrëfimeve përbashkohen nga sjellja çnjerëzuese e stafit mjekësor (mjekë, mami e infermiere).
Shterëzimeve para e gjatë lindjes po u shtohen edhe përvoja me sulmesh verbale, fyerje e shpesh edhe shuplakosje.
Këto përvoja, që ndërkallin shkelje serioze të të drejtave njerëzore, ende nuk janë kuantifikuar si përqindje ku do të kuptohej përmasa e tyre.
Dhuna obstetrike – term i panjohur, praktikë e njohur
Jashtë Kosove, ekziston një stivë literature e raportesh shkencore që tashmë e kanë natyralizuar togfjalëshin ‘dhunë obstetrike’.
I përdorur në etikën mjekësore, në sociologji, e mbi të gjitha në ligjërimin mbi të drejtat e njeriut, ai përshkruan keqtrajtimin e grave gjatë lindjes nga ana e stafit të kujdesit mjekësor.
Bërtimat, fyerjet, procedurat e panevojshme, mungesa e pajtimit, shpërfillja dhe dhuna fizike janë manifestimet kryesore me të cilat përshkruhet kjo formë e dhunës.
Sipas Konfederatës Ndërkombëtare të Mamive, dhuna obstetrike gjatë lindjes, keqtrajtimi dhe dhuna kundër grave që kërkojnë shërbime shëndetësore riprodhuese janë shkelje serioze njerëzore.
Format e kësaj dhune, sipas përkufizimit të kësaj Konfederate, përfshijnë dhunën fizike, humbjen e autonomisë, nënshtrimin ndaj ndërhyrjeve klinike pa pajtim të përshtatshëm.
Atyre iu shtohen bërtimat, përqeshjet, poshtërimet e kërcënimet, shpesh shpërfilljet, refuzimet dhe mospërgjigjje ndaj kërkesave për ndihmë.
Plagë që rëndon mbi sistemet shëndetësore të vendeve ‘zibidi’
Si dhunë shënjimisht gjinore kundër grave, dëshmitë për të janë të kudondodhura thuajse në çdo vend të botës, porse denduria e rasteve të tilla është në vendet me të ardhura mesatare ose të ulëta.
Nga studimet në literaturën profesionale, së paku në Shtetet e Bashkuara, dëmet nga dhuna obstetrike janë gjithfarëshe: trauma psikologjike, lëndime e vdekshmëri të shmangshme, procedura të panevojshme invazive dhe lindje cezariane, mungesë respekti e njerëzie, shkëputje mes nënave dhe të posalindurve, si dhe mosofrim i ndihmës së shumënevojshme.
I vlerësuar si problem struktural, dëmi më i madh nga dhuna obstetrike është frakturimi mbi shëndetin mendor të nënave që kanë lindur fëmijë.
Ndërkaq, një raport i porositur nga Parlamenti Evropian në prill të vitit të kaluar vë re se pavarësisht mospajtimeve për sa i përket një përkufizimi unik për dhunën obstetrike e gjinekologjike, format e saj përfshijnë shpërdorime psikologjike, fizike e seksuale gjatë konsultimeve; akte të detyruara mjekësore që kryehen pa pajtueshmëri; procedura jomjekësore dhe refuzim apo vonim i kujdesit.
OBSh: “Cenim i dinjtetit të grave”
Megjithëse nuk e përdor si term, Organizata Botërore e Shëndetësisë (WHO) e konceptualizon dhunën obstetrike si cilindo shpërdorim, mosrespekt, e keqtrajtim gjatë lindjeve nga ana e profesionistëve shëndetësorë që rezulton në cenim të dinjitetit të grave.
Kjo, sipas OBSh-së, mund të përbëhet nga shpërdorimi tërësor fizik, poshtërimi i shkaktuar prej abuzimesh verbale, mungesa e konfidencialitetit, dhe shpërfillja që pasohet me dhimbje të panevosjhme dhe ndërlikime të shmangshme.
Studimet e fundit mbi dhunën obstetrike janë të shfaqshme ndryshe-ndryshe për nga përqindja anëkënd rruzullit: në Meksikë 33 për qind, në Argjentinë 44 për qind, në Turqi 76 për qind, në Indi 15 për qind, në Shtetet e Bashkuara 17 për qind.
Cikli i madh traumatik
Pjesa më e madhe e studimeve përbashkohen nga përfundimi ku theksohen pasojat që i frakturojnë përgjithnjë gratë: trauma të lindjes, depresion ‘postpartum’, çrregullim stresi post-traumatik e humbje besimi në kujdesin shëndetësor.
Një studim i Organizatës Botërore të Shëndetësisë vëmendëson faktin se gratë vihen në pozicion të brishtë gjatë lindjes, gjë që i bën të varura nga stafi i kujdesit mjekësor.
Ky i fundit – mjekë, mami e infermiere – mund të ushtrojë autoritet nëpërmjet detyrimit, shkujdesit apo abuzimit verbal.
Kjo çakërdisje i bën të kudondodhura sjelljet paternaliste, ku profesionistët ia mbajnë vetes se “ata e dinë më së miri” dhe kështu i shpërfillen nevojat apo zgjedhjet e nënave.
Të tjera studime që kërkojnë përsenë e sjelljeve të tilla nga ana e mjekëve dhe profesionistëve vënë në pah se plot prej materniteteve janë të mbingarkuara dhe me staf të paktë, sidomos në kontekste kur shëndetësia publike ka mjete të pakta.
Mjekët dhe infermierët, në kushtet e stresit të skajmë, shpesh përgjigjen me frustrim e padurim duke e zbrazur gjithë mllefin mbi pacientet e pafajshme.
Kësisoj, kjo krijon një lloj cikli: trysnia e sistemit sjell stres konstant, dhe ky i fundit keqtrajtim të grave.
Kurti bëri godinë të re për traumat e vjetra
Përkundrejt këtij sfondi, dhuna obstetrike e gjinekologjike në Kosovë hëpërhë nuk i është nënshtruar ndonjë studimi.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave, vitin e kaluar janë regjistruar 21 mijë e 487 lindje në shkallë vendi.
Klinika Obstetrike dhe Gjinekologjike pranë QKUK-së është shërbimi më i madh publik që ofron kujdes të specializuar maternal e neonatal.
Përveç tij, shërbime të nivelit dytësor ofrohen edhe në Mitrovicë, Pejë, Gjakovë, Prizren dhe Gjilan.
Dhuna obstetrike nuk ka gjetur vend asnjëherë në fjalimet e ish-kryeministrit Albin Kurti që dikur investonte aq shumë në vetëimazhin e dikujt që preokupohet me të drejtat e njeriut dhe i lufton pabarazitë.
Përurimi i Klinikës së re të Gjinekologjisë, në qershor të vitit të kaluar, kaloi me performimet e zakonshme të kreut të Vetëvendosjes sesi gratë tani e tutje do të kishin të gjitha kushtet për lindje të mbara.
Megjithëkëtë, fotoshkrepjet e bëra atypëraty nuk e kapën edhe anën tjetër ku Klinka Obstetrike dhe Gjinekologjike është kthyer në traumë të përjetshme për mijëra gra.