Faton Klinaku sot doli në Gjykatë për akuzën për kanosje ndaj Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. I njëjti u deklarua i pafajshëm, ndërsa tha se s’ka kryer vepër penale.
Ai shtoi se postimi i tij figuron ende dhe se të njëjëtin nuk do ta heq, pasi siç thotë s’ka vepër penale në të.
“Ju e dini që kam kërkuar edhe vetë atë përballje. Sa i përket aktakuzës konsideroj që kurrfarë vepre penale nuk ka. Dhe postimin tim që ka qenë i përsëritur figuron ende, para dy vitesh që e kam postuar në Facebook edhe nuk e heq sepse nuk ka vepër penale. Ne luftën e kemi bërë si pjesëtarë të UÇK-së, kemi luftuar që ta kemi shtetin, ta kemi sistemin tonë të drejtësisë, prandaj është obligim i secilit qytetar që t’i përgjigjet. Procesi gjyqësor tash do të vazhdojë, përmes avokatit ne do të bëjmë kërkesën për hudhje të aktakuzës”, tha Klinaku para mediave.
Të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë u mbajt seanca fillestare në rastin ku Faton Klinaku dhe Nuredin Selmani po akuzohen për kanosje të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Vetë Kurti erdhi në këtë seancë në cilësinë e të dëmtuarit.
Pasi gjykatësi i rastit Rrahman Beqiri njoftoi të dëmtuarin, kryeministrin në detyrë, Albin Kurti lidhur me të drejtat që ia njeh ligji, Kurti tha se nuk paraqet kërkesë pasurore-juridike.