Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes për Bashkim, Avni Klinaku në emisionin “Imazh” të RTK-së lidhur me deklaratat e BE-së rreth statutit të “Trepçës”, të miratuar nga Kuvendi i Kosovës deklaroi se reagimet e BE-së gjithnjë bëhen në raport me dialogun Kosovë-Serbi apo marrëveshjes gjithëpërfshirëse. Deklarata e kreut të ekzekutivit ishte e ashpër dhe jo me gjuhë diplomatike, pavarësisht se kryeministri Haradinaj ka të drejtë, sepse Trepça është çështje vetëm e Kosovës dhe këto deklarata ishin ndërhyrje në çështjet e brendshme të Kosovës.
“Kryeministri Haradinaj duhet të jetë i kujdesshëm në deklarata, mos të përdor gjuhë të ashpër, por ai duhet të japë deklarata më diplomatike”, theksoi Klinaku.
Sipas Klinakut, vetëm tash Kosova ka filluar të sillet si shtet sovran dhe të ndërmerr hapa të tillë, prandaj kjo edhe po i pengon Serbisë dhe BE-së.
“Taksa ishte vendim i drejtë i Kryeministrit dhe kështu e quajnë edhe qytetarët dhe shumica e partive, edhe pse shumë më herët është dashur të zbatojmë reciprocitet të plotë me Serbinë”,tha ai, i cili shtoi se ndoshta nuk ishte mirë e studiuar dhe analizuar. Klinaku tha se taksa nuk mund të jetë e përjetshme dhe nëse i pengon bisedimet, por edhe nëse vërtetë atë e kërkon bashkësia ndërkombëtare. Prandaj, kjo gjë nuk duhet të vjen për shkak të deklaratave të tyre publike, por duke parë interesin tonë në takime me ta. Nëse rrezikojmë marrëdhëniet me SHBA, nëse mund të kemi sanksione, atëherë taksa duhet të hiqet. Klinaku shtoi se kryeministri Haradinaj duhet ta gjej momentin e përshtatshëm për ta hequr taksën.
“Rreth ridefinimit të kufijve, e vërteta është se problemet kanë mbetur dhe institucionet janë marrë vetëm me çështje të serbëve, e jo edhe të shqiptarëve”, u shpreh Klinaku.
Ekipin e dialogut e shoh si të dëmshëm nëse i përmbahet Ligjit për Dialogun, i cili i mbyll shtigjet për çështjet apo problemet në mes shqiptarëve e serbëve. Në anën tjetër, Presidenti Thaçi këto çështje i ka të hapura, sepse duhet t’iu bëhet zgjidhje.
“Arritja e marrëveshjes me Serbinë është e mundur, sepse deri më tani është penguar nga SHBA, por tash si çështje është e hapur. Vetëm me ide të guximshme zgjidhen problemet e vështira. Leposaviqi, Zubin Potoku dhe Zveçani janë jo vetëm Komuna, por ato janë vija etnike, aty ka fshatra shqiptare që na takojnë neve, e po ashtu Presheva, Bujanovci dhe Medvegja. Zgjidhja nuk është e lehtë, problem e shoh vetëm Mitrovicën, ndërsa të tjerat nuk i shoh problem”, tha Klinaku. Ujmani është shumë i rëndësishëm, por kjo çështje rregullohet me marrëveshje ndërkombëtarë për ujërat e rrjedhshme dhe këtë nuk e shoh aq problem, sa Mitrovicën, u shpreh ai.
“Mënyra qysh është formuar Qeveria e Kosovës është dukur që do të jetë e brishtë dhe e paqëndrueshme , sepse varet kryekëput nga lista serbe. Por, konsideroj që kryeministri Haradinaj do ta shtyjë edhe më tutje qeverinë. Konsideroj se nuk do të ketë zgjedhje edhe këtë vit, sepse bashkësia ndërkombëtare nuk ka interes për zgjedhje, por do të ketë vazhdim të dialogut, deri në zgjidhjen përfundimtare me Serbinë, deklaroi Klinaku.
Sipas Klinakut, zgjedhjet nuk do të prodhojnë zgjidhje, sepse nuk ndryshojnë shumë në votat e partive. Zgjidhjen e problemeve që duhet të ndodhë në bisedime për arritjen e marrëveshjes me Serbinë, e shohim si të mirë edhe për këtë çështje, sepse pakica serbe ka privilegje bllokuese në Kushtetutë.
“Për shkak të problemeve në veri ne kemi edhe kryetarët e Komunave në dorëheqje dhe kjo nuk është për shkak të neglizhencës së qeverisë, por për shkak të mungesës së vullnetit të serbëve, tha Klinaku, i cili shtoi se nuk mund të mbahen zgjedhje pa vullnetin e tyre. “Me dhunë nuk mund të mbahen ata”, deklaroi Klinaku./Fokusi.info/