Kjo është prova e madhe, Yamal nuk kursehet të “sakrifikohet” për Barcelonën

Barcelona është shumë e kënaqur me Lamine Yamal, jo vetëm sepse ka në skuadër një nga lojtarët më të mirë të momentit dhe me potencial të jashtëzakonshëm, por edhe për gatishmërinë e tij për sakrificë në shërbim të ekipit. Talenti blaugrana po shfaq rritje shembullore në lojën mbrojtëse dhe bujari sportive.

Hansi Flick ka spikatur për aftësinë e tij për t’i ripërshtatur lojtarët dhe për t’i bërë polivalentë, me sukses të madh. Eksperimenti i fundit dhe më surprizues ishte vendosja e Lamine Yamal si mesfushor ofensiv (‘10’) kundër Betisit, një rol që nuk ishte provuar më parë as në stërvitje.

“Diskutova me të dhe e pyeta nëse donte të luante si ‘10’. Lamine tha po…, është fantastik”, – nënvizoi Flick, duke vlerësuar angazhimin e tij në mbrojtje dhe rritjen e vazhdueshme. Vetëm pak javë më parë, trajneri kishte kritikuar kontributin mbrojtës të disa sulmuesve, përfshirë edhe Lamine.

Në ndeshjet e fundit ai ka bërë një hap të madh përpara; pranoi të shkëlqejë më pak në sulm për t’u sakrifikuar për grupin. Kundër Atletico Madridit ishte lojtari me më shumë rikuperime topi (9). Përballë Betisit, eksperimenti funksionoi: gol me penallti, 44 pasime të sakta, vetëm 3 gabime, 85 prekje topi dhe disa ndërhyrje vendimtare. Barcelona “fërkon duart” me yllin e saj të ri.

The post Kjo është prova e madhe, Yamal nuk kursehet të “sakrifikohet” për Barcelonën appeared first on Telesport.