Policia e Kosovës njoftoi se ka arrestuar një person mbi dyshimet për dëme financiare që kapin vlerën e mbi 100 mijë eurove në një institucion parashkollor.
Klankosova.tv, mëson ekskluzivisht, se e arrestuara është Kadrije Asllani.
E njëjta dyshohet se kreu veprën penale, në cilësinë e drejtoreshës së çerdhes ‘’Botanika’’.
Siç mëson klankosova.tv, nga burime ekskluzive, paratë i kanë paguar prindërit e fëmijëve dhe e njëjta i ka fut në subvencion të komunës.
Policia e Kosovës, konkretisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ka zhvilluar hetime lidhur me dyshime për keqpërdorim të fondeve publike në një institucion parashkollor në Prishtinë.
Gjatë hetimeve janë siguruar prova që tregojnë përpilimin e listave fiktive të subvencioneve për fëmijë që nuk kanë ndjekur institucionin, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme financiare.
Dyshimet përfshijnë gjithashtu tërheqje të parave në mënyrë të parregullt dhe blerje të pajisjeve elektronike pa justifikim të nevojave institucionale.
Vërejtje:
Personat e përmendur në këtë artikull, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, konsiderohen të pafajshëm deri në vendimin e formës së prerë nga gjykata.