Kirurgu që hoqi dorë nga Zvicra për Gjilanin, Arbër Morina shkarkohet në mënyrë të papritur

Shkarkimi i Dr. Arber Morinës nga pozita e shefit të repartit të kirurgjisë në Spitalin Rajonal të Gjilanit ka ngjallur reagime dhe shqetësim në opinionin publik.

Pas dy vitesh pune intensive dhe rezultateve të dukshme në përmirësimin e shërbimeve kirurgjikale, Dr. Morina ka reaguar përmes një deklarate publike, ku shpreh zhgënjimin e tij për vendimin e marrë nga ushtruesi i detyrës së drejtorit të spitalit.

Në reagimin e tij, ai ndan me publikun arsyet pse vendimi konsiderohet i padrejtë, si dhe përkushtimin e tij të vazhdueshëm ndaj profesionit dhe pacientëve.

Më poshtë gjeni deklaratën e plotë të Dr. Morinës:

Reagim Publik

I zhgënjyer, por krenar dhe me ndërgjegje të pastër, po iu drejtohem qytetarëve, kolegëve dhe gjithë atyre që kanë ndjekur punën time si kirurg dhe udhëheqës i repartit të kirurgjisë në Spitalin Rajonal të Gjilanit.

Para dy vitesh lashë punën si mjek në një klinikë zvicerane me kontratë të rregullt dhe me një pagë që në atë kohë ishte sa 13-fishi i pagës së një specialisti në Kosovë, për t’u kthyer me qëllim që të jap kontributin tim në fushën e kirurgjisë në Anamoravën time të dashur, në vendlindje.

Nuk kam qenë naiv, sepse pas 15 vitesh përvojë pune në mjekësinë kosovare dhe përballjes me vështirësi e padrejtësi, e kam ditur që kthimi im do të jetë sfidues dhe rruga jo e lehtë. Por nuk ka problem, sepse rrugët e vështira i kam ndjekur që në kohën kur isha student i mjekësisë, atëherë kur është kërkuar t’i përgjigjemi thirrjes së atdheut. Të gjithë ata që më njohin, e dinë se sfidat nuk më trembin. Ato i shoh si mundësi për zgjidhje, të cilat jo gjithkush i zgjedh dhe mund t’iu jap rrugën e duhur.

Vendimin për t’u kthyer dhe për të marrë pozitën e udhëheqësit të repartit të kirurgjisë në Spitalin e Gjilanit e kam marrë nga dëshira që t’i kontriboj dhe mundësoj shkëlqimin kirurgjisë kosovare, e në veçanti këtij spitali, që duke ofruar shërbime shëndetësore profesionale dhe sjellje etike, pacientët tanë të besojnë në profesionin e shenjët të mantelbardhit dhe në spitalin tonë. Kjo edhe ka ndodhur.
Për 24 muaj rresht si shef reparti, kam dhënë gjithçka nga vetja për të rikthyer dinjitetin dhe besimin në këtë repart. Kemi rritur ndjeshëm numrin e operacioneve, kemi futur laparaskopinë në përdorim të përditshëm, kemi fituar çmimin si reparti më i mirë dhe kemi rritur shpresën te pacientët që dikur kërkonin ndihmë jashtë këtij spitali. Kemi trajtuar dhe shëruar këtu, e kemi parandaluar maltretime dhe shpenzime për pacientët dhe familjarët e tyre, në kërkim të shpresës në spitale gjithandej, të cilat, me përgjegjësi e them që janë nën nivelin që ne kemi arritur.

Sot, më shumë se keqardhje, ndjej zhgënjim. Pa asnjë vlerësim real të punës sime, pa asnjë paralajmërim dhe në shkelje të dispozitave ligjore, një ushtrues detyre i drejtorit të Spitalit, që ende nuk e njeh realisht institucionin sepse ka qenë larg për shumë vite, dhe ende pa u ulur mirë në karrige, vendos të më shkarkojë dhe të rikthejë dikë që tashmë është në prag të pensionimit – një rikthim në të kaluarën që nuk solli asnjëherë zhvillim.

Ky nuk është thjesht një vendim për mua – është një goditje për shpresën e atyre që shëndeti ju mungon dhe familjarëve të tyre, për shëndetin dhe jetën e qytetarëve të anamoravës, për secilin që ka besuar në ndryshim dhe ka filluar të besoj në profesionalizmin e kirurgëve të tyre. Është sinjal i keq për mjekët e rinj që në përkushtim kanë parë një mundësi frymëzimi. Dhe mbi të gjitha, është një padrejtësi që nuk do të kalojë pa u thënë.

Unë mbetem krenar për çdo pacient që kemi trajtuar dhe për çdo hap që kam hedhur në shërbim të këtij spitali. Por nuk do të hesht kur padrejtësia zë vendin e punës dhe të rezultatit.

I juaji dhe gjithmonë në shërbimin tuaj,
Dr. Arber I. Morina
Specialist i Kirurgjisë së Përgjithshme