Kievi hodhi poshtë sot një propozim të presidentit rus, Vladimir Putin që presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky të vinte për një takim në Moskë.
Putin tha se e kishte diskutuar çështjen me presidentin amerikan, Donald Trump.
”Donald më pyeti nëse ishte e mundur të organizohej një takim i tillë. Unë thashë po, është e mundur. Në fund të fundit, Zelensky mund të vijë në Moskë nëse është i gatshëm, një takim i tillë do të zhvillohet”, tha Putin, duke folur për herë të parë para shtypit pas takimit me Trump në Alaskë muajin e kaluar.
Putin tha se Zelensky mund të vizitojë Moskën vetëm nëse ka perspektivë për një rezultat të favorshëm, gjatë një konference për shtyp në Pekin, e transmetuar nga televizioni shtetëror në përfundim të vizitës së tij katërditore në Kinë.
”Të paktën shtatë vende janë ofruar të presin një takim mes Putinit dhe Zelenskyt”, deklaroi ministri i Jashtëm ukrainas Andrii Sybiha, në përgjigje të komenteve të Putinit.
”Zelensky është i gatshëm të udhëtojë menjëherë në cilindo prej këtyre vendeve për një takim. Me propozimet e tij të papranueshme që në fillim, Putin po tallet me të gjithë”, tha Sybiha.
Komentet e Putinit vijnë mes përpjekjeve të vazhdueshme për t’i dhënë fund luftës së Moskës kundër Ukrainës.
Zelensky ka bërë thirrje në mënyrë të përsëritur për një takim me Putinin për të negociuar drejtpërdrejt një armëpushim në konfliktin e nisur nga Kremlini në vitin 2022.
Por, Putin ka theksuar vazhdimisht se është i gatshëm të takohet vetëm nëse takimi përgatitet mirë, ndërsa Rusia vazhdon sulmet e rënda teksa diskutimet zvarriten./atsh
The post Kievi refuzon propozimin e Putinit për takim me Zelenskyn në Moskë appeared first on Kosovapost.net.