KFOR i quan të rreme pretendimet se NATO-ja ka lëshuar raketa nga Kosova në drejtim të Iranit

KFOR ka reaguar ndaj pretendimeve që po qarkullojnë në rrjetet sociale se “NATO ka lëshuar raketa nga Camp Bondsteel apo objekte të tjera të NATO-s në Kosovë drejt Iranit”, duke i cilësuar ato si të pavërteta.

Në një njoftim për media, misioni ushtarak i NATO-s në Kosovë thekson se ky pretendim është i rremë dhe se NATO e hedh poshtë plotësisht një gjë të tillë. Sekretari i Përgjithshëm Mark Rutte, ka bërë të qartë se NATO si organizatë nuk është e përfshirë në fushatën aktuale ajrore kundër regjimit iranian.

Tutje thuhet gjithashtu se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të luajnë rol kyç në mbështetjen e sigurisë dhe stabilitetit rajonal në kuadër të misionit të KFOR-it.

Aktualisht, ShBA-të kanë rreth 600 trupa të dislokuara në KFOR dhe udhëheqin Komandën Rajonale Lindje (RC-East), e cila kontribuon në aktivitetet e përditshme të misionit, përfshirë patrullimet, ushtrimet dhe bashkëpunimin me komunitetet lokale.

Misioni Paqëruajtësi i Aleancës Veriatlantike, rithekson se vazhdon të përmbushë mandatin për të garantuar një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët në Kosovë, në përputhje me Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.