Ministrja në detyrë e MINT, Rozeta Hajdari pas seancës gjyqësore për skandalin me Rezervat Shtetërore për të cilën tashmë ka një aktakuzë, ka thënë se ndihet krejtësisht e pafajshme, duke e quajtur procesin si tendencioze nga ana e Prokurorisë.
“Këtu jam, nuk ju iki. Siç e vërejtët edhe vetë ishit prezent dhe sot isha në seancën gjyqësore në lidhje me aktakuzën kundër meje nga Prokuroria Speciale në lidhje me çështjen e Rezervës Shtetërore. Përkundër se ndihem krejtësisht e pafajshme se është proces tendencioz nga Prokuroria Speciale duke shkelur çdo procedurë ligjore. Por më e rëndësishmja është të theksoj se qytetarët e Kosovës nuk kanë të brengosen për konsolidim e rezervës shtetërore të cilën e kemi rritur në Qeverinë Kurti II për shumëfish në kohën më të vështirë. Në kohën kur kufijtë ishin të mbyllur me shpërthimin e luftës në Ukrainë e në kohën më të vështirë, kur nuk kishte eksport të produkteve bazike në vendin tonë”,deklaroi Hajdar tha ajo para mediave.
Hajdari tha se Prokuroria ka shkelur ligjin, pasi sipas saj nuk po e përfill ligjin dhe po vazhdon pa përfillur procedurat ligjore për ligjin e rezervave dhe mbrojtjen e informacionit të klasifikuar.
“Unë dhe mbrojtja ime jemi të bindur për këto veprime të paligjshme e këtë do ta dëshmojmë deri në fund të këtij procesi”,shtoi ajo.
Tutje Hajdari deklaroi se “Nuk më lejohet të deklarohem tek ju në lidhje me proceset”.
Ndryshe Hajdari, sipas aktakuzës së ngritur më 11 nëntor të vitit të kaluar, akuzohet për keqpërdorim të rezervave shtetërore.
Hajdari dhe dy zyrtarët Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara, sipas Prokurorisë, dyshohen se bashkëkryerje i kanë keqpërdorur detyrat zyrtare me qëllim që të përfitonin pasuri për persona të tjerë dhe i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës gjatë muajve shkurt dhe mars 2022.
Aktakuza pretendon se buxheti i shtetit ka pësuar një dëm prej rreth 3 milionë eurove si pasojë e veprimeve të të akuzuarve.
Ata dyshohet se asokohe kishin blerë një sasi vaji dhe një sasi gruri jashtë vendit, që nuk kishin arritur kurrë në Kosovë.
Që të tre akuzohen për kryerjen e veprave penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, dhe zbulimi i fshehtësisë zyrtare.
Ndërsa i akuzuari i katërt, Ridvan Muharremi, dyshohet për ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Hajdari, Lipovica dhe Gara akuzohen po ashtu se, pa autorizim, kanë zbuluar fshehtësinë zyrtare.
Ministrja në detyrë, Rozeta Hajdari, e ka cilësuar si “tendencë politike” ndaj Qeverisë së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, aktakuzën e ngritur kundër saj dhe tre të tjerëve për rastin e rezervave shtetërore.
Rezervat shtetërore
Më 2023, tre persona u arrestuan për rastin e rezervave shtetërore, përfshirë Garën, drejtor i departamentit të rezervave shtetërore, dhe Lipovicën, drejtor i departamentit për integrime evropiane.
Në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë më 2023 u kryen bastisje pas publikimit të audio-incizimeve nga portali Nacionale, ku ishte pretenduar se një sasi vaji, e blerë në Poloni, dhe një sasi gruri, e blerë në Turqi, nuk kishin arritur kurrë.
Atëbotë, Hajdari deklaroi se blerjet për rezerva shtetërore ishin bërë në përputhje me ligjin, por nuk dha më shumë hollësi, meqë informacionet për to janë sekrete shtetërore.
Më vonë, ajo e akuzoi policinë se gjatë bastisjeve, ka marrë në cilësinë e provave dokumente të klasifikuara si sekrete shtetërore.
Si dëshmitar për këtë rast është thirrur edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, por deri më tani nuk ka pranuar të shkojë në Prokurorinë Speciale, duke ngulur këmbë të japë dëshminë në Kryeministri.
Për rastin e rezervave shtetërore, Kurti i ka dalë në mbrojtje Hajdarit, duke thënë se “nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi”.










