Këto janë të gjitha vendimet që mori sot Qeveria

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha në mbledhjen e 265-të të kabinetit qeveritar janë miratuar një sërë vendimesh me ndikim të drejtpërdrejtë në ekonomi, administratë dhe mirëqenie qytetare.

Një ndër vendimet më të rëndësishme është heqja e tarifës doganore për të gjitha produktet me origjinë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke vendosur një normë prej 0% për këto produkte.

Po ashtu, qeveria ka ndarë nga 20 mijë euro ndihmë për familjet e dy zjarrfikësve, Sefadin Osmanaj dhe Kaqun Lima, të cilët humbën jetën gjatë kryerjes së detyrës në vitet 2024 dhe 2025.

Në aspektin institucional, janë bërë emërime të reja në poste kyçe: Drejtori i Përgjithshëm i Institutit të Kosovës për Administratë Publike, Drejtori Ekzekutiv i Agjencisë së Kosovës për Forenzikë me mandat katërvjeçar, si dhe Këshilli Statistikor.

Në fushën e zhvillimit lokal, u rialokuan 3 milionë euro për 28 projekte kapitale në 16 komuna, ndërsa mbi 500 mijë euro të tjera janë ndarë për pesë projekte në pesë komuna të tjera përmes bashkëfinancimit me Ministrinë e Zhvillimit Rajonal.

Ndërkohë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të investojë 28 milionë euro në katër projekte shumëvjeçare, që përfshijnë rinovimin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, lokalitetin arkeologjik në Dresnik, Ndërtesën e Arkivit Shtetëror dhe stadiumin e Podujevës.

Kurti tha se këto vendime janë pjesë e përpjekjeve për të garantuar mbarëvajtjen e institucioneve dhe për të forcuar lidhjet shtetërore dhe ndërkombëtare, pavarësisht faktit se qeveria është në detyrë./KosovaPost.

The post Këto janë të gjitha vendimet që mori sot Qeveria appeared first on Kosovapost.net.