Paga bazë më e larta në sistemin publik të arsimit në Kosovë parashihet të jetë 1481 euro.
Kjo pagë u përket profesorëve të rregullt, profesorëve emertues dhe këshilltarëve shkencorë. Sipas një propozimi të Komisionit Parlamentar për Administratë Publike që Gazeta Blic e posedon koeficienti i kësaj kategorie do të jetë 6.2.
Sipas këtij koeficienti, llogaritur me pagën bazë e që është 239 euro, paga vjetore e tyre do të jetë 1 mijë e 481 euro.
Nivelim të pagave përmes këtij propozimi do të ketë edhe për profesorët e asocuar.
Koeficienti i pagës së tyre është paraparë të jetë 5.6. Duke marrë parasysh që vlera e një koeficienti është llogaritur të jetë 239 euro, atëherë rezulton se paga e tyre do të jetë 1338 euro.
Një rang më poshtë vijnë profesorët asistentë dhe bashkëpunëtorët shkencorë. Me koeficient 5 paga e tyre pritet të jetë 1 mijë e 195 euro.
Pagë më të ulët do të kenë ligjëruesit në universitet. Për ta, paga mujore do të jetë 1 mijë e 075 euro, pasi që koeficienti i tyre do të jetë 4.5.
Pagë më të ulët se 1 mijë euro do të kenë lektorët në universitet. Me koeficient prej 3.7 paga mujore e tyre do të jetë 884 euro.
Ndërsa, asistentët në universitet me koeficient 3.65 do të marrin një page mujore prej 872 eurosh. E hulumtuesit e pavarur me koeficient 3.4 do të kenë pagë mujore prej 812 eurosh.
Në këtë institucion, pagën më të ulët do ta kenë asistentët e rinj. Koeficienti i tyre 3, u mundëson atyre një pagë prej 717 eurosh.