Java në Kosovë do të karakterizohet nga mot i ndryshueshëm, me intervale me diell dhe zhvillim të vranësirave konvektive, të cilat herë pas here mund të sjellin reshje lokale shiu, shkarkesa elektrike dhe lokalisht edhe breshër.
Sipas parashikimeve meteorologjike, temperaturat do të mbeten mbi mesataren klimatologjike për këtë periudhë, ndërsa kushtet e lagështisë në tokë do të vazhdojnë të jenë të favorshme për shumicën e kulturave bujqësore.
Cilësia e ajrit pritet të mbetet kryesisht e mirë gjatë javës, por indeksi UV do të arrijë vlera të larta gjatë orëve të mesditës. Për këtë arsye, qytetarëve u rekomandohet kujdes i shtuar gjatë ekspozimit të drejtpërdrejtë në diell.
Për ditën e hënë parashihet mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Gjatë ditës, vranësirat do të zhvillohen më tej dhe në disa zona mund të sjellin reshje shiu të shoqëruara me rrufe, ndërsa lokalisht nuk përjashtohet mundësia e breshërit.
Temperaturat minimale do të lëvizin nga 9 deri në 12 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale do të arrijnë ndërmjet 26 dhe 29 gradë Celsius.
Era do të fryjë nga veriperëndimi me shpejtësi prej 1 deri në 11 metra në sekondë.









