Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përmbyllur sot një nga fazat formale më të rëndësishme të procesit zgjedhor: tërheqjen e shortit që përcakton renditjen e subjekteve politike në fletëvotimin e zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit.
Shorti, i zhvilluar në prani të përfaqësuesve të partive dhe vëzhguesve, ka vendosur numrat përfundimtarë me të cilët partitë kryesore do të paraqiten para qytetarëve.
- Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të garojë me numrin 129.
- Nisma Socialdemokrate do të garojë me numrin 122.
- Partia Demokratike e Kosovës do të paraqitet me numrin 130.
- Lidhja Demokratike e Kosovës do ta ketë numrin 123.
- Lëvizja Vetëvendosje do të garojë numrin 116.
Raportimi i djeshëm i Nacionales është konfirmuar sot publikisht: Nisma Socialdemokrate do të garojë e vetme në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit.
“Përfaqësuesja e partisë, Arbëreshë Krasniqi, tërhoqi numrin 122, duke e shënuar Nismën si subjekt të veçuar në fletëvotim.
Të, dashur qytetarë, në numrin 122 Nisma Socialdemokrate, ka Lidership, ka Dinjitet, ka vizion ka Liri, ka UÇK, ka dashni për Kosovën!”, shkroi anëtarja e kësaj partie, Arbëreshë Krasniqi.
Sipas propozimit fillestar, shorti ishte planifikuar të mbahej më 8 dhjetor, por vendimi u rishikua në mbledhjen e radhës së KQZ-së.
Sot është afati i fundit që subjektet politike të dorëzojnë listat zgjedhore me të cilat partitë do të garojnë në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit.
Presidentja Vjosa Osmani, megjithë kundërshtimet e shumicës së partive politike, e ka vlerësuar 28 dhjetorin si datën më të përshtatshme për mbajtjen e zgjedhjeve.











