Është bërë e ditur lista e kandidatëve të cilët pretendojnë të marrin drejtimin e Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës.
Doktor Saudin Maliqi, doktor Gani Halilaj, doktor Driton Ukmata dhe Dr.Basri Lenjani janë kandidatët e vetëm të cilët kanë arritur të plotësojnë kriteret e kërkuara në bazë të konkursit të hapur për pozitën e drejtorit të përgjithshëm të SHSKUK-së.
Por ajo çfarë bie në sy është se pikërisht drejtuesi aktual i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi nuk i ka plotësuar kriteret për marrjen e kësaj pozite.
Gloria Staka dhe Valbon Krasniqi janë dy nga kandidatët të cilët në listë figurojnë si emrat të cilët nuk arritën t’i plotësojnë këto kushte.
Ndryshe, kandidatët të cilët figurojnë se nuk kanë plotësuar kushtet dhe kriteret e paraqitura në konkurs, kanë të drejtë të paraqesin ankesë ose të paraqiten në Sektorin e Burimeve Njerëzorë në kuadër të ShSKUK-së, për t’u njohur me arsyet e detajuara për mos-kualifikim në konkursin e mëtejmë.
Në muajin korrik të vitit të kaluar, Bordi Drejtues i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës pati marrë vendim të shkarkojë nga detyra dr.Basri Sejdiun, Drejtor i Përgjithshëm i ShSKUK-së.
Në vend të Dr.Sejdiut asokohe ushtrues detyre i drejtorit u caktua infektologu, Valbon Krasniqi.
Krasniqi ende vazhdon të jetë në pozitën e u.d së Drejtorit të ShSKUK-së,deri në vendimin e radhës lidhur me emërimin e Drejtorit të Përgjithshëm.