Këta janë hapat për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës

Me qëllim të mundësimit të regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës, KQZ ka funksionalizuar platformën elektronike https://diaspora.kqz-ks.org, e cila do të jetë e hapur deri më 29 gusht 2025.

Në faqen e saj, KQZ njofton se të gjithë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit, mund të aplikojnë për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës për të votuar me postë në Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025.

Aplikimi për regjistrim duhet të jetë individual dhe mund të bëhet:

  • përmes platformës elektronike të KQZ-së https://diaspora.kqz-ks.orgose
  • përmes postës duke dërguar aplikimin në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë.

Si bëhet aplikimi për regjistrim përmes platformës së KQZ-së?

Për të filluar procedurën për t’u qasur në platformën e KQZ-së, shtetasi i Kosovës që jeton jashtë vendit duhet që, së pari, të klikojë në hapësirën REGJISTROHU.

Menjëhërë pas kësaj, shtetasit do t’i hapet një faqe tjetër. Hyrja në platformën e KQZ-së mundësohet pasi shtetasi të shënojë numrin personal të Republikës së Kosovës dhe datën e lindjes.

Hyrja në platformën e KQZ-së do t’i mundësojë shtetasit që të fillojë procedurën verifikimit.

Fillimisht, kërkohet që të bëhet verifikimi i identitetit, duke bërë një fotografi përmes platformës ku shihet qartë fytyra e aplikuesit/shtetasit. Më pas, shtetasi duhet që të verifkojë e-mail adresën e tij personale, e cila duhet të jetë aktive, pasi përmes saj do të pranojë njoftimet nga KQZ dhe kodin për verifikim.

Pas kalimit të procedurës së verifikimit, shtetasi do të fillojë procedurën e regjistrimit si votues jashtë Kosovës.

Aplikuesi duhet që të plotësojë të dhënat e tij jashtë Kosovës, që përfshijnë: shtetin ku jeton, qytetin, adresën e banimit që tregon rrugën dhe numrin e shtëpisë/apartamentit, kodin postar të shtetit, numrin personal të telefonit.

Pas kësaj, do të hapet mundësia për të përzgjedhur mënyrën e dërgimit të zarfit me fletëvotime: (1) përmes postës, në kutinë postare të KQZ-së jashtë Kosovës apo (2) përmes postës, në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë.

Për qëllime të aplikimit, shtetasi duhet të paraqesë dokumentet si në vijim:

  • Dokument i Kosovës (letërnjoftim, pasaportë ose leje e vozitjes);
  • Fotografinë (selfie) duke mbajtur në dorë dokumentin e tij identifikues;
  • Njërin nga dokumenet që dëshmon adresën e votuesit jashtë Kosovës (dokument identifikues në të cilin është e shënuar adresa e banimit, vërtetim i adresës nga autoriteti lokal, kontratë të qirasë, faturë shërbimesh, dokument i lëshuar nga banka apo kompania e sigurimit, dokument që dëshmon adresën e personit tek i cili qëndrojnë përkohësisht, dëshmi tjetër banimi për rastet specifike (rezervim hoteli, konvikti etj.).

Këto dokumente nuk mund të ngarkohen apo të bashkangjiten në platformë. Ato fotografohen nga pajisja e aplikuesit në kohë reale. Pas klikimit mbi llojin e dokumentit që kërkohet, hapet kamera dhe duhet të bëhet fotografimi i dokumentit.

Në fund, shtetasi/aplikuesi duhet të miratojë deklaratën online se të dhënat e mësipërme janë personale, të sakta dhe se çdo deklarim i rrejshëm apo tentim për regjistrim për persona të tjerë përbën vepër penale sipas ligjeve të Republikës së Kosovës.

Aplikimi përmbyllet duke klikuar mbi hapësirën APLIKO.

Shërbimi votues i KQZ-së do të shqyrtojë aplikimin brenda një kohe të shpejtë.

The post Këta janë hapat për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës appeared first on Kosovapost.net.