Këta janë emrat e të zhdukurve që u gjetën në varrezën masive në Bishtazhin

11 trupa të personave të zhdukur janë gjetur në varrezën masive në Bishtazhin.

Këto viktima më 2 prill 1999, bashkë me qindra burra dhe djem shqiptarë, u grumbulluan me dhunë nga forcat ushtarake dhe policore të Serbisë, në një fushë në Kralan, rrethuar me tanke.

Aty u mbajtën nën tortura të vazhdueshme, pa ujë dhe ushqim për dy ditë. Më 4 prill, nga ta u ndaluan 86 burra dhe djem, ndër të cilët 11 ishin të mitur. Që nga ajo ditë, askush nga ta më nuk është parë i gjallë. Disa prej tyre ishin gjetur në afërsi të liqenit Peruqac në Bajina Bashta të Serbisë. Pas zhvarrosjes nga Bishtazhini, Serbia i rrëmbeu kufomat.

Pas 26 viteve, në varrezën masive në Bishtazhin, janë gjetur dhe identifikuar:

Adem Gashi;

Sahit Gashi;

Bekim Hasani;

Sheremet Ismajli;

Mentor Myrtaj;

Osman Fejza;

Shkelzen Hajdaraj;

Bekim Gashi;

Sabedin Kryeziu;

Mentor Kryeziu;

Vehbi Halilaj.

Pë këtë çështje ka shkruajtur edhe kryeministri Albin Kurti, i cili ka thënë se plagët e hapura të zhdukjeve me dhunë janë e vërteta e krimeve çnjerëzore dhe gjenocidit të kryer nga Serbia gjatë luftës në Kosovë.

“Në këto ditë të rënda nuk është e lehtë të gjenden fjalë ngushëllimi që mund të plotësojnë zbrazëtinë që ka lënë mungesa e tyre. Është e vështirë të gjejmë fjalë mjaftueshëm të fuqishme për të përshkruar forcën dhe durimin e palëkundshëm të familjarëve përgjatë këtyre viteve”.

“Në këto ditë, e çdo ditë tjetër, të përbashkët e kemi dhembjen dhe nderimin për martirët e dëshmorët e kombit në Kosovë. Qëndrojmë bashkë për të mos lejuar harresën të mbulojë mizoritë që ndodhën në luftë”, ka thënë Kurti.