Kryeministri Albin Kurti ka thënë se nuk kanë arritur kompromis me dy partitë kryesore opozitare, PDK dhe LDK, për zgjedhjen e një presidenti konsensual.
Kurti bëri të ditur disa nga detajet e diskutimeve me kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamzën, për çka të cilin e falënderoi për mirëkuptim.
“Atmosfera ka qenë konstruktive dhe bisedat kanë qenë korrekte dhe unë i falënderoj për këtë qasje të re. Tashmë takohemi dhe diskutojmë e edhe kur nuk takohemi bisedojmë me njëri tjetrin pa ndërmjetësues. Mirëpo, atmosfera e mirë nuk garanton marrëveshje dhe ky është realiteti në të cilin ndodhemi. Mua nuk më është dhënë asnjë emër për president”, ka thënë Kurti në konferencë për media.
Ai ka bërë të ditur se kanë tentuar zgjedhjen e Murat Jasharit, mirëpo kjo ide nuk kishte funksionuar.
Sa i përket marrëveshjes me PDK-në, Kurti ka thënë se aso marrëveshje njeriu nuk mund të bëjë as me veten.
Sipas kryeministrit Kurti, PDK-ja nuk i ka paraqitur atij asnjë emër për president, thjesht marrëveshjen me detyrimin për votimin e tyre.
“Kur nuk arritëm marrëveshje, nga Bedri Hamza mu tha se dy kandidatët për president të jenë të propozuar nga PDK-ja dhe njëkohësisht të bëjmë marrëveshje ku unë garantoj se njëri nga ta do të zgjidhej. Unë ia kam shpjeguar se një gjë e tillë është e pamundur për një kryeministër demokrati si unë dhe kundër statutit të LVV-së pasi që nuk ka marrëveshje “blanko” dhe e falënderoj Bedri Hamzën për mirëkuptim. Njeriu kësi marrëveshje është vështirë të bëjë edhe me vetveten lëre më me dikë tjetër, e lëre më me rivalin e vjetër”, ka thënë mes të tjerash Kurti.
“Kur nuk dhanë emra ia dhash emrin e Andin Hotit, ai është unik. Ai ishte propozimi ynë që së paku të fillojmë të diskutojmë por nuk u pranua dhe nuk u pranua as të ketë takime të flasim për emra të tjerë. Nuk mu dha asnjë emër, mu kërkua të nënshkruaj marrëveshje pa emra por me zotim absolut”, shpjegoi Kurti.










