Këshilltari i Kurtit: Osmani i fitoi dy poste të larta me ndihmën e Vetëvendosjes

Jeton Zulfaj, këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, beson se Vjosa Osmani duhet të jetë mirënjohëse ndaj Lëvizjes Vetëvendosje.

Pa partinë e Kurtit, ajo nuk do të bëhej as kryeparlamentare as presidente, kujton një nga njerëzit më të afërt të kryeministrit.

Zulfaj ka kujtuar se Osmani nuk është figurë e Vetëvendosjes, por e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe se në LDK nuk kishte arritur të fitonte post të lartë drejtues.

“Për herë të parë kur LDK e konsideroi për një pozitë më të lartë ishte në zgjedhjet e vitit 2019. Në kohën kur pritej që Albin Kurti të fitonte zgjedhjet, LDK e vendosi Vjosën si kundërkandidate për kryeministre e që në listë ja dhanë numrin 81”, tha Zulfaj në një shkrim në Facebook. “Ajo i humbi ato zgjedhje”.

Këshilltari i kryeministrit nuk ka harruar të përfshijë në analizën e tij edhe triumfin e 28 dhjetorit, 2025. Me këtë rast ka specifikuar se rezultati është arritur pa Vjosa Osmanin.

“Rezultati i vitit 2021 u tejkalua në dhjetor të vitit 2025, kur koalicioni i njëjtë fitoi edhe më shumë vota, pa Vjosa Osmanin. Në këto zgjedhje, Albin Kurti dhe Glauk Konjufca dolën dy deputetët më të votuar”, tha ai.