Këshilltari i Kurtit: Lëvizja Vetëvendosje e respektoi kushtetutën në plotni

Këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, Jeton Zulfaj ka reaguar për herë të parë pas dekretit të presidentes Osmani për shpërndarjen e Kuvendit.

Zulfaj përmes një reagimi në Facebook ka thënë  se Lëvizja Vetëvendosje ka respektuar Kushtetutën në plotni.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! e respektoi Kushtetutën në plotni. 1. Vendosi dy kandidatë që të ketë garë. PDK dhe LDK së bashku kanë 37 deputetë, por nuk sollën asnjë kandidat. 2. Filloi seancën që të niste procedura brenda afatit. 3. Bëri të gjitha veprimet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit, deri te konstatimi i prezencës së deputetëve në sallë. 4. Ndërpreu seancën për mungesë të deputetëve, për ta vazhduar kur ata të kthehen në sallë, siç e kanë obligim dhe detyrim kushtetues”, thuhet në reagimin e tij.

Ai ka thënë se partitë opozitare duan të humbin kohë duke bojkotuar zgjedhjen e presidentit, teksa ka shtuar se duhet të bëhet zgjedhja e presidentit.

“Vitin e kaluar na humbën kohë duke bojkotuar zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit; tash duan të na humbin kohë sërish duke bojkotuar zgjedhjen e presidentit. Por presidenti duhet të zgjedhet”, ka thënë ai.