Këshilltari i Kurtit: Gjykata Kushtetuese mund të rrëzojë dekretin antikushtetues të Osmanit

Blerim Sallahu, këshilltari ligjor i kryeministrit Albin Kurti, thotë se mosezaurimi i procedurës së paraparë në nenin 86, të Kushtetutës për zgjedhjen Presidentit, tregon qartazi se vendi nuk mund të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Ai shton se Gjykata Kushtetuese mund të shpallë të pavlefshëm çdo dekret që bie në kundërshtim me Kushtetutën dhe parimet e ndarjes së pushteteve.

“Kësisoj, Gjykata Kushtetuese lehtësisht mund të merr atkgjykim përmes së cilit do ta shpallë të pavlefshëm një dekret dukshëm antikushtetues që ka goditur brutalisht dhe në mënyrë kundërkushtetuese, parimet kushtetuese mbi të cilat bazohet rendi kushtetues, ndarjen e pushteteve, epërsinë e Kushtetutës, uzurpimin e kompetencave kushtetuese të pushtetit legjislativ dhe tok më të ndarjen e pushteteve”.

Sipas Sallahut, qëllimi është të ruhet rendi kushtetues, të sigurohet vazhdimësia e qeverisjes dhe të shmangen zgjedhjet që do të prodhonin rezultate të ngjashme, duke kursyer rreth 10 milionë euro dhe duke ruajtur stabilitetin ekonomik, financiar dhe shoqëror të vendit.

“Pra, të gjitha këto dispozita kushtetuese kanë qenë të argumentuara thellë dhe gjerë në kërkesën tonë në mënyrë që të kontribuojmë në ruajtjen e rendit kushtetues, vazhdimësinë e qeverisjes, shmangien e zgjedhjeve që do të prodhonin pothuajse rezultat të njejtë, kursimin e buxhetit të shtetit rreth 10 milionë euro në organizim të zgjedhjeve, si dhe respektimin e stabilitetit ekonomik, financiar dhe shoqëror të vendit tonë.

Andaj, interesi kushtetues i Gjykatës Kushtetuese përmes nxjerrjes së aktgjykimit përkatës natyrisht se do të mund t’i misherojë, përmbajë dhe mbrojë këto vlera dhe parime kushtetuese të cilat përbëjnë esencën e funksionimit demokratik, shoqëror dhe kushtetues të shtetit tonë”, shkruan ai.