Këshilltari i Kurtit e “godet” edhe njëherë tjetër Osmanin: Zelli për pushtet është aq i madh sa edhe vërbues

Këshilltari politik i kryeministrit Albin Kurti, Jeton Zulfaj, ka reaguar përsëri në lidhje me vendimin e presidentes Osmani për shpërbërjen e Kuvendit.

Zulfaj ka kritikuar Osmanin për vendimet që ka marrë qysh nga nata e mbrëmshme me procedimin e amandamenteve në Kuvend, duke thënë se zelli për pushtet e ka “verbëruar”.

“Presidentja Vjosa Osmani i ka plot pesë vjet që është zgjedhur presidente dhe, nëse do të shtyhej nga vullneti i mirë për republikën, këtë veprim mund ta bënte shumë më herët, në mënyrë që sot të ishim në kohë për zgjedhjen e presidentit nga populli. Pse nuk e bëri këtë me kohë? Sot në konferencë paska thënë që “nuk e kam bërë për vete””.

“Po pse atëherë në ditët e fundit? Nëse veprimi i saj nuk ka qenë për të gjetur një zgjidhje për veten e saj në këtë kohë, por për një president të ardhshëm për vitin 2031, atëherë ky duket veprim i kotë, sepse këto procese mund t’i niste presidenti i ardhshëm qysh në fillim të mandatit të tij apo të saj. Por e vërteta është tjetër E vërteta është se zelli për pushtet si duket është aq i madh sa edhe vërbues dhe nuk lejon të shohësh pjesën ku amendamentet hyjnë në fuqi vetëm pas gjashtë muajsh”, thuhet në reagimin e Zulfajt në Facebook.

Ai ka shkuar edhe më tej duke thënë se i njëjti zell dhe vërbim e shtyu Osmanin drejt gabimit të radhës – dekretin për shpërbërjen e Kuvendit.

“I njëjti zell dhe vërbim e shtyri sot të bëjë gabimin e radhës, duke i veshur vetes një pushtet që nuk i takon. Pas pesë vitesh që Vetëvendosje i dha rastin të shërbejë në pozitën më të lartë të shtetit, në vend që ta përfundojë mandatin me dinjitet, ajo si akt të fundit zgjodhi shkeljen e Kushtetutës dhe sulmin ndaj subjektit që e bëri presidente. Trashëgimi e pandershme”, ka thënë ai.