Rritja e pagave për mësimdhënësit, për shërbyesit civilë dhe kategoritë tjera që po kërcënojnë me greva nuk mund të plotësohen me buxhetin e Shtetit.Kjo është përgjigja e Këshilltarit për Ekonomi të Kryeministrit Haradinaj, Haki Shatri.
Ai thotë se ekziston edhe një mundësi që kërkesat e gjitha grupeve të realizohen për pak muaj derisa të falimenton Shteti.“S’ka mundësi të realizohen kërkesat që po qarkullojnë tash për tash si kërkesa ndaj Qeverisë. Nuk ka mundësi. Kjo cka po them unë është me e lehta. Varianti tjetër është të prishet shteti, edhe është i nxitur prej dikujt që dëshiron ta prishë shtetin”, ka thënë Shatri, në një bisedë për Express.Mësimdhënësit po hyjnë në javën e tretë të grevave me kërkesa për rritje pagash. Të njëjtat kërkesa kanë edhe shërbyesit civilë, të cilët po planifikojnë të bojkotojnë punën, prej të hënës dhe të martës.Në grevë janë edhe një pjesë e mjekëve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.Përgjigja e Qeverisë për gjithë këto kërkesa është se buxheti s’lejon realizimin e tyre.
“Mundësitë tona janë të kufizuara. Këta kufijtë që kemi të shpenzimeve, 2 miliardë e 370 milionë, eventualisht mund të zgjerohemi për një 10 milionë, apo për pak diçka. Për mu ndërru diçka rrënjësisht nuk ka mundësi”, thotë Haki Shatri që më herët ka mbajtur pozitën e Ministrit të Financave.Edhe ky zyrtar i AAK’së hedh dyshime se grevat po orkestrohen prej politikës. Por, nuk jep adresë se prej nga po vijnë këto organizime.
Nuk dëshiron të komentojë qëndron Presidenti apo PDK’ja pas grevistëve.“Këto janë më shumë të nxitura politikisht. E tash nuk merrem me dekonspiracione, por një punë e di, në qoftë se dijnë sigurt se s’ka mundësi me ndrru një punë. Politikisht që dëshiron të rrëzohet për të vazhduar e njëjta, vetëm se po dëshiron të ndërrohet një Qeveri apo diçka tjetër”, ka shtuar ai.“Nuk e di”, ka thënë kur është pyetur për të treguar adresën e saktë prej nga po nxiten grevat.Ai ka thënë se nëse realizohen kërkesat e të gjitha grupeve shteti falimenton para se të vijë vera.“Nëse dëshiron të shkosh më tutje me kërkesa, ti mund t’i rrisësh pagat për një tre muaj, bllokohesh, s’ke të hyra dhe dështon shteti”, ka konstatuar ai.
Ky zyrtar i Qeverisë së Kosovës thotë se punëtorët e sektorit privat janë duke pësuar dhe janë në gjendje shumë më te keqe se ata në publik. Por, thotë se Qeveria s’po ka mundësi t’ju ndihmojë privatëve.“Shumë me keqe më vjen për sektorin privat. Janë shumë më keq me paga. Nuk po mund të bëjmë asgjë për ta. Është ekonomia e tregut, s’mund të ndërhyjmë. S’po mund të bëjmë dicka për ta. Privatët janë më shumë për dhimtë se sa në publik”, ka shtuar ai.