Këshilli Prokurorial i Kosovës merr vendime të rëndësishme

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), nën udhëheqjen e Kryesuesit Ardian Hajdaraj, ka mbajtur takimin e radhës në të cilin janë miratuar një sërë vendimesh me rëndësi për funksionimin dhe zhvillimin e mëtejmë të sistemit prokurorial në vend.

Në këtë takim u miratuan procesverbalet e takimeve të 270-të dhe 271-të të Këshillit, ndërsa theksi u vendos edhe në miratimin e Udhëzimit Administrativ për caktimin e normës orientuese për prokurorët e shtetit, i cili hyn në fuqi menjëherë.

Në njoftim thuhet se ndërë vendimet e tjera me rëndësi, KPK miratoi:

Rregulloren për zgjedhjen e anëtarëve prokurorë të Këshillit Prokurorial, me dy ndryshime;

Raportin për avancimin e disa prokurorëve në Prokurorinë e Apelit, ku u avancuan Sebahate Hoxhaj – Pepaj, Dëshirë Jusaj dhe Kujtim Munishi, duke filluar nga data 15 shtator 2025;

Raportin për avancimet në Prokurorinë Themelore në Gjakovë, ku u avancuan prokurorët Shqiponjë Jupa dhe Qazim Kuçi, me fillim nga data 8 qershor 2025;

Kërkesën për avancim në Departamentin për të Mitur të Prokurorisë Themelore në Prizren dhe shpalljen e konkursit për këtë pozitë nga data 8 shtator 2025.

Këshilli caktoi prokurorin Qazim Kuçi si mentor në Akademinë e Drejtësisë, ndërsa Arian Gashi u emërua anëtar i Komisionit për Kushtet e Tregut.

Një tjetër vendim i rëndësishëm ishte transferimi i përhershëm i prokurorit Arben Ismajli në Departamentin e Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore në Gjilan, duke filluar nga data 15 shtator 2025.

Në funksion të forcimit të transparencës dhe llogaridhënies, KPK:

Përditësoi listën e prokurorëve që shërbejnë në panele hetimore;

Themeloi dy panele hetimore për raste disiplinore në Prokurorinë Themelore në Prizren dhe në Prokurorinë Speciale;

Refuzoi një kërkesë të Institucionit të Avokatit të Popullit për hetim disiplinor.

Gjithashtu, sipas njoftimit, Këshilli miratoi raportin përfundimtar të Komisionit për Vlerësimin e Performancës së Prokurorëve për shtatë prokurorë me mandat të përhershëm dhe autorizoi ndryshimin e Vendimit Nr. 77/2018.

U morën edhe vendime strategjike lidhur me ruajtjen e të dhënave dhe mirëmbajtjen e objekteve:

Kryesuesi Hajdaraj u autorizua për nënshkrimin e marrëveshjes ndërinstitucionale me Këshillin Gjyqësor dhe Policinë e Kosovës për ruajtjen e të dhënave;

Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të KPK-së, z. Sami Istrefi, u autorizua për nënshkrimin e marrëveshjes me Ministrinë e Punëve të Brendshme për transferimin e përgjegjësive për mirëmbajtjen e Objektit C në Pallatin e Drejtësisë.

Në përmbyllje, KPK autorizoi Komisionin për Çështje Normative që të ndërmarrë veprime për fuzionimin e dy komisioneve në përputhje me Ligjin për Këshillin Prokurorial dhe për hartimin e Rregullores për mbrojtjen e të dhënave personale në sistemin prokurorial.

Këshilli Prokurorial i Kosovës mbetet i përkushtuar në rritjen e efikasitetit dhe integritetit të sistemit prokurorial në Republikën e Kosovës.

The post Këshilli Prokurorial i Kosovës merr vendime të rëndësishme appeared first on Kosovapost.net.